“Kemi bekimin e Këshillit të Europës”, drejtori i Këshillit të Medias: Gënjejnë kur thonë se e kanë marrë nga Italia

Nga A2 CNN
2 Tetor 2026, 21:50 | Politikë

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për drejtorin e Këshillit shqiptar të Medias Koloreto Cukali, nuk janë bazuar në modelet nordike europiane, por një kombinim i modelit italian me elementë nga Franca, Turqia dhe Rusia. Në Çdo kënd me Merita Haklajn në A2 CNN ai ngriti shqetësimin për kufizimet e reja mbi raportimin mediatik.

“Ky nuk është fare një ligj nordik. Ky nuk është asnjë ligj italian, sepse Meloni ka futur diçka të tillë që është munduar t'i mbrojë njerëzit e vetë nga korrupsioni a ku di unë se çfarë dhe akoma bëhet nami në Itali dhe debatohet për këtë ligj se e konsiderojnë ligj censure. Ky nuk është fare ligj nordik. Ky është një copë Italie me një çik Francë, po pa asnjë standard francez dhe i shartuar me një çik me shumë Erdogan edhe me një çik Putin. Pra kjo është gjëja që na kanë ofruar. Nuk është fare nordike”.

Sipas tij, pamundësia për të raportuar faktin që një zyrtar është marrë në pyetje, apo është nën hetim, e lë publikun në errësirë dhe e lë prokurorin të vetëm përballë presionit.

“Dëmi kryesor është i publikut që nuk do marrë vesh asgjë, që një zëvendësministre apo një ministër do merret në pyetje, do bëhen ndërhyrjet, nuk do raportohet fare, sepse nuk mund ta raportosh ti me këtë që është marrë në pyetje, me këtë draftin e këtyre. Nuk mund ta raportosh ti si gazetar. As që është marrë në pyetje, pastaj le detajet brenda për çfarë është marrë. Ai mund të ketë bërë gjërat më të rënda dhe ky prokurori është vetëm tek pullë përpara presionit të njerëzve të krimit, të njerëzve të ministres apo ministrit, apo të kryeministrit, përpara të gjithë grupeve të interesit dhe ky është vetëm, sepse askush nuk e di që x person është marrë nën hetim për këtë gjë të rëndë dhe kjo është një gjë absurde. Pra, publiku ngelet në errësirë dhe publiku nuk ka mundësi të dijë, nuk ka mundësi të vëzhgojë, nuk ka mundësi të monitorojë dhe ne nuk do e marrim vesh. U thirr, u pyet, prokurori u tremb dhe lëshoi. Dëmi tjetër i vjen prokurorisë. Një prokuror do jetë krejt i vetëm. Ky prokuror do jetë vetëm në errësirë informative dhe do i mbajë të gjitha presionet i vetëm. Publiku duhet të dijë dhe niveli i mbrojtjes që duhet t'i jepet një individi dhe kjo është me gjykatën e të drejtave të njeriut e cila keq citohet”, tha Cukali.

Shqetësim për Cukalin përbën gjithashtu edhe kufizimi i publikimit të informacionit, deri pas mbylljes së çështjeve.

“Në raport me median dhe absurditetet e tipit që ti duhet të presësh një vit mbasi është mbyllur çështja, ti nuk merr informacion pse u mbyll çështja. Pra ti nuk mund të publikosh. Çfarë është gazetaria? Të publikosh mbas një viti? Si mund të publikosh mbas një viti? Para një viti ishte një ministre e cila vidhte, por e pushuan çështjen ata, se ka dhe edhe gjëra të tipit që i thotë; mund të flasësh ti si avokat për gjyqin, por jo të japësh informacion për çfarë akuzohet. Po për çfarë do flasësh ti në media dosje në qoftë se nuk të jepet mundësi të diskutosh edhe elementet e dosjes?”, u shpreh Cukali.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos