Gjuriç sulmon Tiranën për lumin Ibër: Shqipëria nuk ka bazë për t’u përfshirë, është çështje e jona

Nga A2 CNN
10 Gusht 2026, 22:34 | Politikë

Gjuriç sulmon Tiranën për lumin Ibër: Shqipëria nuk

Ideja e Presidentit Vuçiç për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, i cili përshkon gjithashtu Kosovën, ka sjellë përplasje dhe replika mes Tiranës dhe Beogradit.

Ministri serb i Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç, ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e akuzuar Tiranën për përpjekje për të zhvendosur vëmendjen nga, siç pretendon ai, shkeljet e të drejtave të serbëve në Kosovë.

 “Ajo që po dëshmojmë është një përpjekje e qartë për të ndryshuar temën dhe për të larguar vëmendjen nga shkeljet e vazhdueshme të të drejtave themelore të popullit serb në Kosovë dhe ‘Metohi’ ”, shkroi Gjuriç në postimin në platformën "X".

Ai kritikoi gjithashtu Ministrinë e Evropës dhe Punëve të Jashtme të Shqipërisë, duke pretenduar se ajo është “dukshëm e heshtur” ndaj çështjeve që, sipas tij, lidhen me të drejtat dhe sigurinë e komunitetit serb.

Në pjesën tjetër të reagimit, Gjuriç u fokusua te lumi Ibër, duke argumentuar se ky lumë nuk rrjedh nëpër Shqipëri duke shtuar se Tirana nuk mund të përcaktojë mënyrën se si Beogradi menaxhon burimet ujore brenda territorit.

Lumi Ibër nuk rrjedh nëpër Shqipëri”, shkruan ai, duke vijuar se: “Shqipëria nuk ka bazë territoriale apo hidrologjike për të pretenduar një rol në përcaktimin e mënyrës se si Serbia menaxhon burimet ujore brenda territorit të saj”, deklaroi ai.

Gjuriç tha se përfshirja e Tiranës në këtë çështje ngre, sipas tij, “pikëpyetje rreth motiveve politike” dhe akuzoi Shqipërinë se po shpërfill atë që ai e cilësoi si “presion sistematik ndaj popullsisë serbe dhe sulme ndaj pronës serbe”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos