
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila la në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. Në një postim në rrjetet sociale kreu i qeverisë shprehet se ky është një rast të paprecedentë, pasi Veliaj i cili është zgjedhur nga qytetarët dhe i njohur nga Gjykata Kushtetuese si i vetmi kryetar në detyrë, vazhdon të mbahet në qeli.
Sipas tij ky është një rast unikal në historinë e Europës demokratike ku nuk ka prova të rrezikshmërisë ekstreme, ndërsa Tirana po paguan kostot.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtas nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!
Po, rregulli e do që vendimet e gjykatave të respektohen dhe unë i nënshtrohem gjithnjë këtij rregulli - madje as nuk i komentoj vendimet përpara formës së prerë.
Por, përtej faktit që kalvari i Erion Veliajt është unikal në historinë e Europës demokratike dhe gjithashtu faktit që ende nuk shihet gjëkundi prova e rrezikshmërisë ekstreme, e cila mund të arsyetojë kyçjen e pambarimtë në qeli të një të zgjedhuri nga populli, ka një të vërtetë tjetër të hidhur:
Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milionë banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”, shkruan Rama.
(A2 Televizion)