Ish-ministrja: Reforma të pastudiuara mirë në arsim, more kurrikul nga Kosova por investimi ishte zero

Nga A2 CNN
14 Shtator 2026, 22:53 | Politikë

Mirela Karabina, ish-ministre e Arsimit, deklaroi se reformat në arsim nuk kanë qenë të studiuara mirë dhe gjithashtu nuk u është lënë kohë.

“Arsimi është përdorur politikisht dhe çdo qeveri që ndryshon thotë se do të sjell një gjë të re. Por, nuk mund të bëhet kështu. Nëse do ndërmarrësh një reformë, ajo ka objektiva dhe duhet që të gjitha partitë të jenë të interesuara, jo ta ndërpresin. Dhe karakteristikë është që pas 90-ës kemi ndërmarrë reforma të pastudiuara mirë, kemi ndërhyrë shpesh në arsim dhe nuk i kemi lënë të marrin kohë sepse as nuk kemi bërë analizë, por kemi ndërmarrë një tjetër reform”, tha Karabina në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

“Për shembull, para vitit 2013 për herë të parë është bërë një studim në lidhje me kurrikulën, është bërë një vlerësim i kurrikulës dhe u hartua me specialistë të huaj, dhe është miratuar. Erdhi qeveria në 2013, e injoroi fare gjithë këtë punë. Ajo s'ishte e një partie të caktuar. Ajo ishte një punë kolosale. Për herë të parë bëhej vlerësimi i kurrikulës. Çfarë duhet, si duhet, si është më mirë… u hodh në kosh. Dhe çfarë bëre? Ndërmore një reformë të pastudiuar për tregun tonë, sepse e more nga Kosova dhe nuk pyete askënd. E hodhe në treg sipas një procedure, ndërkohë që në Kosovë ajo nuk po jepte rezultate të mira. Ti e fute në disa shkolla në pilotim dhe vitin tjetër e hodhe në gjithë Shqipërinë. Mësuesi ishte totalisht i patrajnuar sepse po ndryshoje metodologjinë. Pra, po na krenoheshe që unë do t'i krijoj mundësi nxënësve që të aftësohen përmes veprimtarisë praktike. Po ndërkohë investimi ishte zero dhe kur u hodh në treg nuk përmbushje kriteret që donte ajo kurrikul. Ajo kurrikul donte mësues të trajnuar, donte infrastrukturë fizike dhe digjitale”, shtoi Karabina. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos