Pas shtrenjtimit të naftës në tregun me shumicë dhe pakicë, Partia Demokratike kërkon nga qeveria që të lehtësojë ngarkesën fiskale mbi karburantet. Në një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, deputeti demokrat Eno Bozdo pohon se situata është emergjente dhe sipas tij duhet të eliminohet taksa mbi qarkullimin dhe uljen e përkohshme të akcizës.
“Partia Demokratike i kërkon me këmbëngulje qeverisë të lehtësojë menjëherë ngarkesën fiskale mbi karburantet. Në veçanti ne i qëndrojmë propozimit tonë të kahershëm të eliminimit të taksës së qarkullimit dhe uljes së përkohshme të akcizës. Kombinim ky që do ta sillte çmimin e diezelit në Shqipëri në mesataren e rajonit. Pra asgjë e jashtëzakonshme thjesht barazimi me çmimin e vendeve të rajonit. Më duhet të rikujtoj këtu se çdo iniciativë ligjore e Partisë Demokratike për këtë çështje është rrëzuar gjithmonë me votat e Partisë Socialiste në Kuvend. Çdo refuzim i mëtejshëm i këtyre nismave si dhe çdo këmbëngulje në pozicionin e papërgjegjshmërisë do të sjellë pasoja të rënda për qytetarët dhe ekonominë”.
(A2 Televizion)