Vendimi i Gjykatës së Lartë për të mos ndryshuar masën e sigurisë për Erion Veliaj ka lënë të pakënaqur Kryeministrin Edi Rama. Në mediat sociale, ai shkruan se kryebashkiuaku i Tiranës po mbahet pa gjyq në qeli. Pavarësisht mendimit shton se nuk do të komentojë kurrë thelbin e vendimeve të gjykatave.
“Përsëri Tirana pa kokë dhe përsëri kryetari i zgjedhur e i pagëzuar rishtaz nga vetë Kushtetuesja si i vetmi në detyrë dhe i palëvizshëm nga detyra, nuk mund të lëvizë nga qelia ku mbahet pa gjyq!”
Sipas kreut të ekzekutivit, kalvari që po kalon Veliaj në gjykata është unik në historinë e evropës demokratike. Provat për rrezikshmërinë e kreut të bashkisë, për Ramën mungojnë, ndaj shton se mungon edhe arsyeja që mbahet në qeli pambarimisht i pari i qytetit të Tiranës.
“Askush s’po do t’ia dijë për koston përditë e më të lartë të të parit kryeqytet në botë, që prej thuajse dy vjetësh jeton me kokë të prerë dhe për haraçin që thuajse 1 milion banorë duhet t’i paguajnë përditë këtij eksperimenti të paparë e të padëgjuar juridik, social dhe ekonomik”.
Erion Veliaj vijon të jetë në qeli që prej Shkurtit të vitit 2025, ku u arrestua ndërsa mbi të rëndojnë disa akuza duke nisur nga korrupsioni e deri te pastrimi i parave.
(A2 Televizion)