Partitë Popullore Europiane (EPP) miratuan një rezolutë emergjente për Shqipërinë gjatë kongresit të mbajtur në Valencia, duke ngritur alarmin për integritetin e procesit zgjedhor dhe gjendjen e demokracisë në vend, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, shkruan A2 CNN.
Rezoluta, e titulluar “Integriteti zgjedhor në Shqipëri”, u propozua nga Partia Demokratike e Shqipërisë dhe u bazua në raportet e OSBE/ODIHR, Transparency International, World Justice Project dhe Departamenti Amerikan i Shtetit. Dokumenti thekson një sërë shqetësimesh të rënda që lidhen me manipulimin zgjedhor, presionin mbi opozitën, dhe përdorimin e shtetit për interesa partiake.
EPP denoncon përdorimin e fondeve publike, punësimeve dhe emërimeve në administratë për qëllime elektorale, në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe vendimeve të KQZ-së. Rasti i emërimit të kryebashkiakut të përkohshëm të Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt, pa procedura ligjore, është cilësuar si shkelje flagrante e autonomisë vendore.
Sipas rezolutës, janë dokumentuar raste të blerjes së votës me para dhe përmes kultivimit të kanabisit, punësime klienteliste, si dhe presione ndaj punonjësve publikë për të mbështetur partinë në pushtet. Këto veprime, thuhet në rezolutë, minojnë neutralitetin e shtetit dhe barazinë në garën politike.
EPP shpreh shqetësim për ndjekjet penale dhe presionin ndaj figurave opozitare dhe mediave të pavarura. Vendimi për të kufizuar aksesin në platformën TikTok në prag të zgjedhjeve është përkufizuar si kërcënim për lirinë e shprehjes dhe të informacionit.
Rezoluta u bën thirrje institucioneve të BE-së, OSBE-së dhe Këshillit të Europës që:
Të dënojnë abuzimin me pushtetin dhe manipulimin zgjedhor;
Të kërkojnë hetim dhe ndëshkim të shkelësve të ligjit zgjedhor;
Të garantojnë qasje të barabartë në media për të gjitha partitë;
Të vendosin vëzhgues zgjedhorë shtesë në bashkitë me rrezik të lartë;
Të lidhin përparimin e Shqipërisë drejt BE-së me respektimin e standardeve demokratike.
“Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i çdo demokracie funksionale. Shqipëria nuk mund të ecë drejt Bashkimit Europian pa i garantuar qytetarëve të saj të drejtën për të votuar të lirë dhe të barabartë,” thuhet në përmbyllje të rezolutës.
EPP thekson se do të ndjekë nga afër zhvillimet në Shqipëri dhe do të mbështesë forcat demokratike për një proces zgjedhor në përputhje me standardet europiane. (A2 Televizion)