“Njerëz të paautorizuar po merren me kthimin e zarfeve nga Greqia”, PD denoncon disa parregullsi në procesin e votimit të Diasporës

Nga A2 CNN
30 Prill 2025, 12:52 | Politikë

“Njerëz të paautorizuar po merren me kthimin e zarfeve nga

Partia Demokratike ka ngritur shqetësime lidhur me mënyrën e administrimit të procesit të votimit për shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025. Gjatë një konference për shtyp, e deleguara politike e PD-së për Diasporën, Jozefina Topalli, dhe përfaqësuesi ligjor i partisë në KQZ, Franc Nuri, kanë paraqitur një listë problematikash që, sipas tyre, po shoqërojnë këtë proces.

Ndër shqetësimet kryesore të ngritura janë vonesat në dërgimin e fletëve të votimit nga kompania postare ndërkombëtare DHL, shpesh përtej afateve ligjore, si dhe mungesa e njoftimeve për votuesit në lidhje me mbërritjen e zarfeve. Sipas PD-së, janë konstatuar raste kur zarfet janë dorëzuar në mënyrë të paautorizuar, përfshirë lënien në ambiente të hapura ose dorëzimin te persona të tretë pa autorizim.

Gjithashtu, janë raportuar raste të mungesës së materialeve brenda zarfeve, dublikime, gabime në të dhëna dhe fletë votimi të pavlefshme për shkak të mungesës së vulës zyrtare. PD ka evidentuar edhe ndërhyrje të mundshme politike gjatë shpërndarjes së zarfeve dhe përdorim të të dhënave personale nga subjekte politike, gjë që përbën shkelje të ligjit për mbrojtjen e të dhënave.

Një tjetër problem i theksuar, sipas PD-së, është përfshirja e individëve të paautorizuar në grumbullimin dhe kthimin e zarfeve në disa zona të Greqisë, të cilët pretendojnë se kanë vepruar në marrëveshje me DHL. Sipas PD-së, këto veprime përbëjnë shkelje të parimit të fshehtësisë dhe individualitetit të votës.

“Përfshirja e individëve të paautorizuar në Greqi në grumbullimin dhe kthimin e zarfeve të votimit: Individë në Hania (Kreta) dhe zona të tjera pretendojnë në rrjete sociale se kanë bërë ‘marrëveshje me DHL’ për të shpërndarë ose kthyer zarfet e votimit për shqiptarët në Greqi. Këto veprime, të paraqitura si ‘shërbim komunitar’, përbëjnë shkelje të rëndë të parimit të votimit të fshehtë dhe individual, dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit shqiptar zgjedhor. Organizimi kolektiv dhe ndërhyrja e paautorizuar në procesin e votimit cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit dhe hap rrugë manipulimeve. Autoritetet duhet të ndërhyjnë menjëherë për të hetuar dhe ndjekur penalisht këto veprime të organizuara”, tha Nuri.

Deri më tani, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dhënë një reagim zyrtar mbi këto pretendime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos