Raporti i OSBE-ODIHR: Fushatë e polarizuar dhe akuza për keqpërdorim të burimeve shtetërore

Nga Marjo Brakaj
29 Prill 2025, 23:06 | Politikë

Fushatë e qetë... debate të ashpra në rrjete sociale.... akuza për lidhje me krimin dhe administratë shtetërore që keqpërdoret nga politika... Është kjo fotografia që misioni i vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it i bën Shqipërisë në raportin e ndërmjetëm në prag të zgjedhjeve të 11 majit, shkruan A2.

“Sulmet personale midis udhëheqësve të partive kryesore janë të zakonshme, përfshirë ato në internet, si dhe akuzat e ndërsjella për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Partitë më të vogla pohuan se do të përqendroheshin në komunikimin derë më derë dhe rrjetet sociale, megjithatë, ato ishin më pak aktive në këto platforma sesa PS ose PD”, lexohet në raport.

Raporti portretizon duke nxjerrë në pah fenomenet e vjetra që kërcënojnë zgjedhjet e reja parlamentare, të 11-tat në historinë pluraliste të Shqipërisë post-komuniste: “Shumica e bashkëbiseduesve të Misionit i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ODIHR-it ngritën shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e burimeve shtetërore, përfshirë votimin jashtë vendit, presionin mbi punonjësit e sektorit publik dhe ndikimin e të ashtuquajturave "rrjete patronazhi" në votim”.

Teksa thekson se zgjedhjet konsiderohen si një moment kyç për zhvillimin demokratik të Shqipërisë dhe për rrugën drejt Bashkimit Europian, raporti i OSBE/ODIHR ngre shqetësimin për financimin e partive politike: “Nuk janë bërë ndryshime të konsiderueshme në kuadrin ligjor që lidhet me financimin e fushatave që nga viti 2020. Në veçanti, rekomandimet kryesore të ODIHR-it mbi raportimin e ndërmjetëm të financave, rregullimin e financimit nga palët e treta dhe zgjerimin e financimit publik për kandidatët e pavarur mbeten të patrajtuara”.

Në raportin paraprak të OSBE-ODIHR që përfshin periudhën 1-21 prill 2025 thuhet se “mjedisi politik karakterizohet nga një shkallë e lartë polarizimi dhe mosbesimi mes dy partive kryesore”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos