Gati 50 ditë pas deklaratës së Sali Berishës, demokratët kanë zyrtarizuar kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë së organeve të pushtetit qendror dhe vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 majit 2025.
Në dokumentin e dorëzuar në Kuvend, deputetët demokratë kërkojnë të hetojnë jo vetëm çfarë ka ndodhur ditën e zgjedhjeve, por edhe gjatë gjithë fushatës elektorale, pasi sipas tyre në Shqipëri nuk pati zgjedhje të lira, por një farsë elektorale.
“Ashtu siç ishte parashikuar nga katër rezolutat ndërkombëtare të miratuara nga Partitë Popullore Evropiane (EPP), Internacionalja e Demokratëve të Qendrës (CDI) dhe Bashkimi Demokrat Ndërkombëtar (IDU), procesi zgjedhor u provua të ishte një farsë elektorale në vend të një shprehjeje të lirë dhe demokratike të vullnetit të qytetarëve. Problematikat dhe shkeljet që shoqëruan zgjedhjet parlamentare u pasqyruan gjerësisht edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it, të publikuar një ditë pas zgjedhjeve, më 12 maj 2025.”
Teksa citojnë gjetjet e raportit paraprak të OSBE-ODIHR-it, opozitarët janë të bindur se zgjedhjet u kompromentuan. Si argument kundër integritetit të procesit, deputetët e Partisë Demokratike përmendin edhe qëndrimet e Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit Evropian dhe të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan A2 CNN.
“Me qëllim marrjen e mandatit të katërt qeverisës dhe pamundësimin e rotacionit me çdo kusht, qeveria u angazhua në një abuzim sistematik të pushtetit dhe burimeve shtetërore për të manipuluar procesin zgjedhor. Konkretisht: keqpërdorimi i eventeve publike, kapja e institucioneve shtetërore, riaktivizimi i sistemit të patronazhimit, blerja e drejtpërdrejtë e votave, manipulimi zgjedhor përmes subvencioneve për fermerët, anulimi masiv i gjobave, miratimi i 138 licencave për kultivimin e kanabisit në të gjithë vendin, prokurime të paligjshme, abuzimi me lejet e legalizimit dhe të ndërtimit, si dhe punësime të paligjshme.”
Demokratët nuk kërkojnë të hetojnë vetëm procesin zgjedhor të 11 majit, por kanë dorëzuar edhe një kërkesë tjetër për ngritjen e një komisioni hetimor që do të shqyrtojë veprimtarinë e ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal. (A2 Televizion)