Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çelaj, deklaroi se prania e forcave të policisë nëpër godinat e gjykatave është i domosdoshëm për të rritur sigurinë.
“Ka nevojë që edhe me ekzekutivin të rivlerësojmë mënyrën se si mbrojmë këto hapësira. Mund ta them që, sistemi që kemi zgjedhur për të siguruar ambientin me Illyrian Guard nuk ka rezultuar i suksesshëm dhe kemi pasur mjaft ankesa nga prokuroritë, dhe besoj se duhet riparë. Prania e punonjësve të policisë nëpër gjykata është e domosdoshme”, tha Çelaj, përcjell A2 CNN.
Deklarata vjen pak javë pasi gjyqtari i Apelit Astrit Kalaja u vra në sallën e gjyqit me armë zjarri, pasi dha një vendim.
Çelaj foli në Komisionin e Ligjeve, ku iu përgjigj pyetjeve të deputetëve lidhur me punën e tij. (A2 Televizion)