Vetëm 10 vota e ndanë mandatin mes Zegjine Çaushit dhe Maldrita Bardhos në Fier. Pas rinumërimit të të gjitha kutive të qarkut, rezultoi se Zegjine Çaushi kishte 48 vota ta pamerituara në kuti, ndërsa socialistja tjetër Maldrita Bardho arriti të rikuperonte 26 të tilla.
Gara mes dy socialistëve ishte e fortë nga nisja e rinumërimit deri në fund, pasi procesi tregoi se kishte lëvizje të votave në shumë kuti, ku diferenca mes tyre herë zgjerohej e herë ngushtohej.
Përtej këtij rasti, sipas anëtarit të KAS, Ledio Braho, lëvizjet e votave mes kandidatëve në Fier kanë rezultuar masive, aq sa është e vështirë të flitet për gabim njerëzor.
“Në qarkun e Fierit rezultoi të kishte lëvizje masive votash mes kandidatëve dhe jo subjekteve zgjedhore dhe mendoj se kjo i shërben transparencës, i shërben edhe drejtësisë sepse besoj se do të merren masat e duhura që tjetërsim të tilla të qindra votave të mos ndodhin më në zgjedhje të tjera. Si rokada që ndodhi brenda PS po ashtu edhe shifrat që u prodhuan edhe aty ku nuk pati rokadë i shërben transparencës, demokracisë dhe pasqyrimit të vullnetit të qartë të zgjedhësve. Kështu që për kaq kohë sa arritëm të bënim transparencë unë besoj që ky proces ja vlejti”, tha Braho.
Braho paralajmëroi edhe padi në prokurori, pasi pohoi se lëvizjet e votave dyshime për krime zgjedhore nga numëruesit.
“Tani prokuroria nuk besoj që nuk është në dijeni se edhe ata ndjekin lajme siç ndjekin të gjithë shqiptarët, por unë e diskutova sot edhe me kolegët që ne kur të marrim vendimin do të mbajmë edhe një qëndrim lidhur me faktin se si do të procedojmë, por në çdo rast unë do ja çoj prokurorisë së juridiksionit të përgjithshëm në Fier vendimin me tabelën e ndryshuar bashkë me procesverbalet ku pasqyrohen diferencat dhe besoj se kjo është indicie e mjaftueshme që Prokuroria e Fierit të nis hetimin për trafikimin e votave”, tha ai.
Sa i takon rezultateve mes partive politike nuk u arrit që të prodhohej ndryshim rezultati, pasi kërkuesit e rinumërimit Nisma Shqipëria Bëhet, në fund të procesit humbi 8 vota, ndërsa Partia Socialiste rikuperoi 30 të tilla duke thelluar kështu diferencën. Edhe demokratët dolën të humbur nga ky proces pasi tashmë kanë 147 vota më pak. (A2 Televizion)