“Të pezullohet veprimtaria e AKU”- Rama: Është kthyer në shqetësim të madh! Do rrisim vëmendjen për prodhimin e ushqimit

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 19:46 | Politikë

“Të pezullohet veprimtaria e AKU”- Rama: Është kthyer

Edi Rama është shprehur se duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU-së), pasi sipas kryeministrit, ky institucion më shumë bën dëm sesa mirë.

Komentet Rama i bëri gjatë një takimi për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural, ku sot ishte vetëm dita e parë e dialogut me qytetarët, i cili do të shtrihet më gjatë në kohë.

Rama gjithashtu i ka kërkuar fermerëve dhe blegtorëve që të mos stepen nga situata e rënies së numrit të krerëve të bagëtive, shkruan A2 CNN.

Rama shtoi se asaj që ai e cilësoi si inerci të rënies së numrit të krerëve, qeveria sëbashku me fermerët e blegtorët duhet t’i kundër-përgjigjen me një politikë shumë më agresive në atë drejtim.

Ai tha gjithashtu se çështjen e prodhimit të ushqimit në tërësi, qeveria duhet ta kthejë në një vëmendje edhe më të madhe sesa e ka pasur.

“Duhet menjëherë të pezullohet veprimtaria e AKU-së. AKU-ja duhet ndaluar me urgjencë që të vazhdoje të veprojë sepse më shumë se sa mirë bën dëm. Duhet pezulluar, duhet ngritur një komision i posaçëm për të marrë në analizë të gjitha burimet njerëzore të AKU-së dhe procesi i bashkimit të atyre inspektorateve të ndryshme që është vendosur më ligj, duhet të kalojë nga një proces i seleksonimit të burimeve njerëzore që do merren me inspektim.

Këtu në komision duhet të jetë pjesë, duhet të ftohet Universiteti Bujqësor i Tiranës për të bërë një vlerësim serioz të burimeve njerëzore të AKU-së. AKU-ja është shqetësimi më i madhi, në vend që të jetë partneri më i i rëndësishëm, është shqetësimi i sipërmarrësve që janë në sektorin e bujqësisë, por është shqetësim edhe për të gjithë restorantet, kafenetë dhe pikat e tregtimit, sepse më shumë se sa bën mire, bën dëm.

Edhe fermat fushore janë tërësisht të mundura, por kërkojnë mbështetje nga ana jonë. Nuk kemi pse të stepemi ne nga kjo situata ose inercia më saktë e rënies së numrit të krerëve, por përkundrazi duhet të kundër-përgjigjemi me një politikë shumë më agresive në këtë drejtim, sepse është një politikë fituese.

Dhe çështjen e ushqimit në tërësi dhe të prodhimit të ushqimit në tërësi, duhet ta kthejmë në një vëmendje edhe më të madhe sesa e kemi pasur.

Dhe për këtë arsye i kemi dhënë një mbështetje shumë të madhe Universitetit Bujqësor. Pas disa ditësh, sëbashku me rektorin dhe ju ftoj të gjithëvë nëse keni kohë do të jemi në prezantimin e ofertës së re të Universitetit Bujqësor”, tha mes të tjerash Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos