Në ditën kombëtare të trashëgimisë kulturore, Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, ka dorëzuar sot në Kuvend një projektligj për ndryshimin e ligjit 27/2018 për moslejimin e dhënies me koncesion të pasurisë kulturore.
Zhupa ka propozuar ndryshimin e neneve 171-173 duke u shprehur se “janë riformuluar për të mbyllur çdo hapësirë që lejon dhënien në administrim të trashëgimisë kulturore te privatët, përmes formulave si PPP-të apo koncesionet. Ato do të parashikojnë vetëm mundësinë e dhurimeve apo donacioneve, pa cënuar pronësinë dhe administrimin me dominancë shtetërore”, shkruan A2 CNN.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Zhupa shkruan se trashëgimia jonë kulturore nuk është mall tregtar.
Sipas Zhupës, ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë dhe shpirtit të këtij vendi, dhe si e tillë sipas saj, nuk mund të privatizohet në emër të koncesionarëve për interesa ekonomike.
Statusi i plotë i Ina Zhupës:
Sot, në Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, kam depozituar në Kuvend projektligjin që ndalon koncesionet në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ky projektligj synon ndryshimin e ligjit nr. 27/2018, i cili është hartuar në mospërputhje me Konventën e UNESCO-s për Mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore (Paris, 1972). Edhe relacioni shoqërues i vetë Këshillit të Ministrave, në kohën kur ligji u miratua, e pranon këtë devijim.
Me këto ndryshime, ku nenet 171–173 janë riformuluar për të mbyllur çdo hapësirë që lejon dhënien në administrim të trashëgimisë kulturore te privatët, përmes formulave si PPP-të apo koncesionet. Ato do të parashikojnë vetëm mundësinë e dhurimeve apo donacioneve, pa cënuar pronësinë dhe administrimin me dominancë shtetërore.
Trashëgimia jonë kulturore nuk është mall tregtar. Ajo është pjesë e identitetit tonë kombëtar, e historisë dhe shpirtit të këtij vendi, dhe si e tillë, nuk mund të privatizohet në emër të koncesionarëve për interesa ekonomike.
Si Kryetare e Komisionit të Kulturës, mbetem e vendosur të bëj gjithçka që kjo trashëgimi të mbrohet, të lartësohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm ashtu siç e meriton: e paprekur, dinjitoze dhe frymëzuese. (A2 Televizion)