Kundërshtimi në Kushtetuese, Berisha: Veliaj nuk pranoi marrëveshje me Ramën

Nga A2 CNN
29 Shtator 2025, 14:59 | Politikë

Kundërshtimi në Kushtetuese, Berisha: Veliaj nuk pranoi

Padinë e Erion Veliajt në Gjykatën Kushtetuese, që kundërshton shkarkimin e tij nga detyra, Sali Berisha e konsideron si një mospranim marrëveshjeje që i është ofruar, sipas tij, ish-kreut të Bashkisë Tiranë nga Edi Rama. Berisha tha se pavarësisht interlokutorëve që i kishte dërguar edhe në qeli Rama-Veliajt, tentativat kishin dështuar.

“Edi Rama, pasi i futi Gjushin në qeli, pasi bëri çdo lloj përpjekje për të bërë pazar me Erion Veliajn, që të pranojë shkarkimin dhe të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duket se dështoi në këtë përpjekje. Duket se Erion Veliaj nuk e pranoi marrëveshjen, gjersa ai u ka kërkuar avokatëve të tij të depozitojnë ankesën në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është përgjigja e parë”.

Ndonëse çështja nga kjo e hënë është në duart e trupës kushtetuese, Berisha është i bindur se Presidenti Begaj nuk do të presë vendimin e Gjykatës, por do të nxitojë të nxjerrë dekretin për zgjedhjet në Tiranë.

“Kukulla e Edi Ramës në presidencë do të firmosë, mos pastë lënë edhe ai autopenin aty, për datën e zgjedhjeve”.

Zgjedhjet në Tiranë mund të jenë në prag, por ndërsa socialistët e kanë kandidatin e tyre, opozita është në kërkim të një profil për t’ia vendosur Manastirliut përballë. Për të shuar shqetësimet, Berisha thotë se PD ka disa emra gati, ku gjithsecili prej tyre sipas tij mund të arrijë fitore në kryeqytet.

“Të garantoj se opozita sot, në këtë moment që flasim, ka jo një, por ka disa kandidate dhe kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit. Të pakrahasueshëm”.

Kreu i Partisë Demokratike në nisje të konferencës për mediat foli edhe për një takim që sipas tij ka ndodhur në ishullin Aruba, ku ai thotë se ka qenë edhe vetë Rama dhe që sipas tij është takuar me banda ndërkombëtare.

Opozitarët këtë çështje kërkojnë që ta hetojnë më shumë, ku kreu i grupit parlamentar ka firmosur këtë të hënë një kërkesë për interpelancë me Kryeministrin Edi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos