Qeveria e ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në kohë rekord për vakancën e krijuar në Bashkinë e Tiranës.
Në shkresën përkatëse që është siguruar nga A2 CNN rezulton se ditën e enjte më datë 25 shtator, menjëherë pas vendimit të marrë nga Këshilli i Ministrave, është njoftuar për shkarkimin e Erion Veliajt edhe KQZ.
“Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 25.09.2025, ju bëjmë me dije se është miratuar vendimi nr. 539, datë 25.9.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për shkarkimin nga detyra të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj”, thuhet në shkresë.
Sakaq, ish-kryebashkiaku nuk humbi kohë dhe këtë të hënë kundërshtoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës.
Veliaj pretendon se vendimi është i paligjshëm dhe antikushtetues. Sipas tij neni 62, të cilit iu referuan anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak në propozimin për shkarkim me argumentin se nuk është paraqitur prej tre muajsh në detyrë, nuk mund të zëvendësojë nenin 115 të Kushtetutës. Neni 115 përcakton se shkarkimi nga Këshilli i Ministrave bëhet për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve.
Sakaq ankimi i Veliajt pezullon automatikisht firmën e kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e tij si dhe bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës deri në momentin kur Kushtetuesja do të njoftojë një vendim për çështjen. (A2 Televizion)