Kandidati për deputet i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Zeqir Kordhoni, i ka dërguar një letër Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku shpreh vullnetin për të pranuar mandatin, në rast se do të shpallet fitues i tij.
Kandidatët e këtij koalicioni në listën e mbyllur kishin nënshkruar para zgjedhjeve një deklaratë noteriale ku deklaronin se hiqnin dorë nga mandati, në mënyrë që të futeshin në Parlament kandidatët nga lista e hapur me më shumë vota. Në këto lista të mbyllura u përfshinë edhe familjarë të anëtarëve aktivë të dy partive, Nisma Thurje dhe Shqipëria Bëhet.
“I nderuar Z. Celibashi, unë, i nënshkruari Zeqir Kordhoni, me numër personal G70922024M, i lindur më 22/09/1967 dhe banues në Tiranë, kam kandiduar për Koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” në qarkun e Tiranës në zgjedhjet parlamentare të datës 11 Maj 2025. Përmes kësaj deklarate të nënshkruar përpara noterit sot, më datë 15/07/2025, dua të ve në dijeni Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, vullnetin tim të plotë për të ushtruar funksionin e deputetit në rast se shpallem fitues, pas shpërndarjes së mandateve në përputhje me rregullat e përcaktuara nga Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë.
Në këtë kuadër, kërkoj që KQZ të injorojë çdo deklaratë tjetër të depozituar më parë nga Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ose në emrin tim dhe të marrë në konsideratë vetëm këtë deklaratë si shprehje të qartë dhe të vlefshme të vullnetit tim.
Me respekt, Zeqir Kordhoni”, shkruan Kordhoni në letrën e tij.
Në zgjedhjet e 11 majit, koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” arriti të siguronte vetëm një mandat. Nëse të gjithë kandidatët në listën e mbyllur do të tërhiqeshin, mandati do t’i shkonte Adriatik Lapajt.
Pak ditë më parë, i ftuar në A2 CNN, drejtuesi i Nismës Thurje, Endri Shabani, tha se të gjithë kandidatët e listës së mbyllur do të respektonin marrëveshjen që ishte bërë para zgjedhjeve. “Të gjithë ata që kanë hyrë në listë të mbyllur kanë hyrë me zotim për të dhënë dorëheqjen. Kjo është thënë publikisht dhe është lehtësisht e verifikueshme në çdo kohë”, deklaroi Shabani.
Pak orë pas intervistës, ai kërkoi edhe zyrtarisht Komisionierit Celibashi që të njohë të gjitha dorëheqjet e kandidatëve që vijnë nga radhët e kësaj partie dhe të nisë procedurat për shpërndarjen e mandateve. Por me sa duket, zoti Kordhoni ka ndryshuar mendje. (A2 Televizion)