Kryeministri Edi Rama prezantoi paraditen e së shtunës ministrin e ri të Drejtësisë, Besfort Lamallarin.
Kreu i qeverisë u shpreh se duhet konsoliduar pavarësia e sistemit gjyqësor, pasi është një nga kushtet themelore të integrimit në Bashkimin Europian, shkruan A2.
“Besoj që me mbështetjen e kësaj ministrie dhe në bashkëpunim me të gjithë, Besforti do t’ia dalë të çojë përpara një punë të nisur prej disa vitesh tashmë dhe të vazhduar nga ministri i deritanishëm, Ulsi Manja. Në kushtet kur kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies së pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i Ministrisë së Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar. Kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar apo që pesha që ka në të gjithë proceset është zvogëluar. Edhe roli, dhe pesha janë po aq të rëndësishme sa kanë qenë. Mbi të gjitha, detyrimi që ka Ministria e Drejtësisë për të mbajtur në mënyrë konstante busullën orientuese për të gjitha proceset vendimmarrëse, është detyrim shumë i madh”, tha Rama në fjalën e tij të prezantimit.
Më tej, kreu i qeverisë shtoi: “Ndërkohë që siç e dini dhe ju, territori i mbulimit të çështjeve të drejtësisë në shtetin shqiptar është territori që zë vendin më të gjerë në procesin e negociatave të anëtarësimit. Është shumë e rëndësishme që në të gjithë të përditshmen tonë ne të mos e humbim nga vëmendja thelbin e misionit tonë në raport me drejtësinë, që është të garantojmë dhe konsolidojmë pavarësinë e sistemit tonë gjyqësor si një pushtet kushtetues i pavarur nga ekzekutivi në letër, por vetëm prej shumë pak vitesh i pavarur dhe në realitet. Është një pavarësi që është larg së qënit e garantuar përgjithmonë”.
(A2 Televizion)