Prindërit janë më shumë të shqetësuar për sigurinë e fëmijëve sesa për rezultatet. Kështu u shpreh në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN sociologia Marsi Simo, duke u bazuar në deklaratat e prindërve me të cilët komunikon, por edhe pas ngjarjeve fatale të ndodhur në shkolla, sikurse ai vrasjes së Martin Canit.
“Prindërit me të cilën unë komunikoj janë shumë të shqetësuar kryesisht për sigurinë e fëmijës. Ne po flasim për aspektin akademik me shumë të drejtë, për rezultate, për nota, për aftësi, të cilat fëmija duhet t'i marrë në bankat e shkollës në gjithë procesin e arsimit dhe të edukimit, por sot prindërit më shumë po i mëshojnë sigurisë së fëmijës. Kur them për siguri edhe atë fizike, por edhe atë psikologjike, sidomos për fëmijët të cilët e kalojnë pragun e arsimit të ciklit fillor, që kalojnë në atë fazën e adoleshencës dhe para adoleshencës, vështirësitë janë aq të mëdha, po flas për rrethin shoqëror, për sigurinë, për mënyrën se si gjithë kjo mbarëvajtje në shkollë, komunitet, shtëpi, pra familje nuk arrin të bashkëpunojë deri në atë pikë sa ky fëmijë të jetë i sigurt. Prindërit po e anashkalojnë kaq shumë pjesën akademike, sa po kapen fort së paku te pjesa e sigurisë së fëmijëve të tyre sidomos me ngjarjet e fundit me djalin vogëlushin Martin me shumë raste të tjera të cilat kanë qenë jo vetëm konflikte por kanë shkuar deri në fatalitete”, tha ajo në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Edhe masat e ndërmarra nga qeveria sipas sociologes kanë qenë fasadë, ndërsa theksoi se prindërit kërkojnë zgjidhje të menjëhershme që sjell rezultat.
“Janë marrë masa të cilat po ashtu kanë qenë për mendimin tim. Këtë e them edhe si sperson, por edhe marr përgjegjësi ta them dhe nga aspekti social nuk kanë qenë aspak jo vetëm fitimprurërëse, por kanë qenë thjesht fasadë, si mbyllje Tiktokut apo edhe terma të tjera që u dhamë përkohësisht. Ne kemi nevojë për gjëra të cilat janë sa më të shpejta, imediate që të shikojmë pak rezultat, që të sjellin pak shpresë tek prindërit. Shpresa nuk kthehet vetëm me statistika të cilat sigurisht që ë kanë një tregues, por nuk jemi numra. Pra çdo gjë që duket sikur është kaq e bukur nëpër rrjetet sociale, e vërteta është ndryshe. Ne kemi frikë për të nesërmen. Kur themi ne, po marr përsipër të them ne prindërit në tërësi që jetojmë në vendin tonë, kemi frikë nëse fëmija do të na vijë i shëndetshëm apo jo, do të na vijë në shtëpi apo jo, çfarë e pret e nesërmja, a është ai i sigurt? A ka mundësi ta ruajnë fëmijën? A funksionon ligji? A do të funksionojë nesër? A mundet të përplasem unë diku dhe të kërkoj ndihmë?”, theksoi ajo.
Sociologia u ndal edhe te digjitalizimi dhe përdorimi i inteligjencës artificiale në arsim, në një kohë që sipas saj mungon puna për zhvillimin e inteligjencës emocionale të nxënësve dhe aftësinë e tyre për të menaxhuar konfliktet dhe sfidat e përditshme.
"Po flasim për gjëra të cilat janë vërtetë shumë të rëndësishme siç është inteligjenca artificiale, por ne nuk kemi rregulluar inteligjencën emocionale. Pra, fëmijët tanë nuk dinë se si të menaxhojnë situata dhe sfida të ndryshme, qoftë në klasë, me njëri-tjetrin, me mësuesin, mësuesi po ashtu me nxënësit, se si domethënë të reagojnë ndaj disa sfidave të cilat duken të vogla për moshën e tyre, por janë shumë vendimtare kur ata të bëhen të rritur. Dhe ndërkohë ne flasim për chat GPT-n dhe flasim për legalizimin e këtij Chat boti që në të vërtetë po e legalizojmë ndoshta për t'i paraprirë shumë problematikave që do të na hapin më vonë. Por nuk është ky digjitalizim, nuk është kjo infrastrukturë e ngritur sepse po të shkojmë në periferi, ka mësues të vetë të lëndës së Tik-ut që nuk kanë mjetet e duhura".
Pas më shumë se tre dekadash, sistemi arsimor vazhdon të vuajë nga të njëjtat probleme, theksoi ajo, me pak ndryshime thelbësore në metodologji dhe cilësia po edhe investimet në infrastrukturë, kostot shtesë që shpesh mbulohen nga vetë prindërit.
(A2 Televizion)