Dashnor Sula, i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, uroi që Sali Berisha të bëhet 100 vjeç, në mënyrë që opozita të mos bjerë në dorë të Flamur Nokës.
“Ishalla bëhet 100 vjeç sepse po s’rrojti Doktori, larg qoftë o Zot, me ra në dorë të Flamurit (Nokës) pastaj... iku për lesh opozita”, tha Sula.
“120 të shkojë. 100 herë më mirë ai sesa të bjerë në dorë të Flamurit. Turp pastaj... Ishalla o Zot të rrojë!”, shtoi Sula duke drejtuar duart nga qielli.
Më herët, Sula kritikoi qasjen e opozitës në lidhje me Presidentin Bajram Begaj.
“Politikisht, opozita ka të drejtë. Por, fillimisht duhet t’i dërgonte shkresë zyrtare Presidentit dhe t’i kërkonte llogari si i ka marrë lekët. Unë kam qenë deputet edhe në mazhorancë, edhe në opozitë. Ndoshta më ka ngelur edhe nga puna e prokurorit që nuk flas para kohe. Politikë do të bësh, por të drejtosh gishtin ndaj një personi është shumë e rëndë”, tha Sula.
Sipas tij, fillimisht duhen grumbulluar provat e më pas të sulmohet.
“Grumbullo faktet, provat dhe në fund pastaj nxirri ujin e zi”, tha Sula. (A2 Televizion)