Kaosi me ID e skaduara në Himarë, Meta: Krim i shëmtuar elektoral për të grabitur zgjedhjet

Nga A2 CNN
4 Gusht 2024, 17:20 | Politikë

Kaosi me ID e skaduara në Himarë, Meta: Krim i shëmtuar elektoral

Partia e Lirisë e konsideron një krim të shëmtuar elektoral ndalimin e mbi 6 mijë qytetarëve për të votuar për shkak se mjetet e tyre të identifikimit kanë rezultuar të skaduara.

Për kreun e saj, Ilir Meta ajo çfarë ndodhi sot në qendrat e votimit është pjesë e një strategjie të kryeministrit Edi Rama, për të vjedhur zgjedhjet e pjesshme në Himarë.

“Përjashtimi i qëllimshëm antikushtetues i 6157 qytetarëve të Bashkisë së Himarës nga e drejta e votimit, me pretekstin e skadimit të dokumenteve të identifikimit është një krim i shëmtuar elektoral i Edi Ramës në funksion të grabitjes së zgjedhjeve.”

Meta e bën shefin e qeverisë përgjegjës edhe për shtimin e zgjedhësve fiktivë në Himarë, ndërsa krim elektoral cilëson edhe shpërndarjen e çertifikatave të pronësisë gjatë fushatës elektorale.

Pavarësisht kritikave ndaj qeverisë, ai bën thirrje që në dy orët e mbetura, himarjotët t’i drejtohen kutive të votimit për të shprehur vullnetin e tyre të lirë.

“Shtimi në listat e votimit të qindra qytetarëve nga bashki të tjera, ndryshimi i programuar i qendrave të votimit, ndarja preferenciale për qëllime elektorale të titujve të pronësisë, zbarkimi i të gjithë makinerisë së narkoshtetit në Himarë, me banditë, presione, shantazhe dhe para të pista janë akte mafioze antiligjore që akuzojnë rëndë drejtpërdrejt Edi Ramën dhe SPAK që mbron krimet e tij elektorale. Duke dënuar me forcë aktet që synojnë të shkatërrojnë standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Himarë, u bëj thirrje të gjithë himarjoteve të vrapojnë në këto orë të mbetura drejt qendrave të votimit për të mbrojtur Himarën dhe ndëshkuar grabitësit e tokave të tyre.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos