Kryeministri shqiptar mori 6 ditë kohë për ta komentuar pa emocione, siç thotë ai, deklaratën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd, në krah të Aleksandër Vuçiçit. Për Edi Ramën, turpin duhet ta mbajnë jo ata që folën, por ata që dolën kundër Ukrainës pas qëndrimit të liderit të Kievit.
Edi Rama, Kryeministër: “Miku im i dashur Volodymyr Zelensky ishte në Beograd dhe tha se Ukraina nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Brenda një ore, nacionalistët folklorikë më të zhurmshëm në Tiranë dhe Prishtinë kishin nxjerrë tashmë kalkulatorin gjeopolitik: ndoshta duhet ta ndëshkojmë Ukrainën. Më të pamaturit mes tyre na sulmuan edhe ne pse nuk hoqëm dorë nga Ukraina. Disa madje brohoritën për Rusinë! Çfarë turpi të humbasësh nga sytë të vërtetën e thjeshtë se liria nuk është një marrëdhënie shkëmbimi”.
Nga pushimet, Edi Rama shkruan se një gabim i bërë nga presidenti i Ukrainës nuk mund ta zhbëjë qëndrimin që ka Shqipëria ndaj agresorit rus, shkruan A2 CNN. Ndër rreshta, Kryeministri shqiptar jep leksione se si duhet të sillet një vend europian në këtë botë të trazuar, edhe kur viktimat të zhgënjejnë.
Edi Rama, Kryeministër: “Ukraina mund të jetë, dhe po, është, gabim për Kosovën, por e drejta e saj për të qenë e lirë mbetet e padiskutueshme, dhe të luftosh për këtë të drejtë do të thotë të luftosh edhe për Europën, edhe për veten tonë. Dhe, për fat të mirë, Shqipëria nuk është një njeri i vogël që bën hesapet se kush i detyrohet kujt, por Europa e Ballkanit, që tregon rrugën përmes besimit të saj te liria, demokracia dhe paqja, si dhe përmes forcës së shembullit të saj. Prandaj, po: UKRAINË E LIRË. Sot, nesër dhe gjithmonë”.
Pohimi kundër Kosovës së pavarur i presidentit ukrainas shkaktoi pakënaqësi në Prishtinë, Tiranë, madje deri në Kiev. (A2 Televizion)