“Puka nuk do të bashkohet me ne”, kryebashkiaku i Fushë Arrëzit: Ma tha kryetari kur protestoi me ne

Nga A2 CNN
13 Gusht 2026, 16:47 | Politikë

“Puka nuk do të bashkohet me ne”, kryebashkiaku i Fushë

Kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit, Hil Curri, kundërshtoi projektligjin e Qeverisë për ndarjen e re administrative, duke thënë se as vetë Bashkia Pukë nuk dëshiron të bashkohet me bashkinë e tij.

I ftuar në Ditarin e Pasdites nga Pandi Gjata në A2 CNN, Curri tha se nuk ishte i ftuar në takimin e zhvilluar të mërkurën nga Kryeministri Rama me kryetarët e bashkisë në Kuç të Vlorës. “Nuk e kanë parë të arsyeshme. Unë të njëjtin qëndrim do të kisha mbajtur”, tha Curri.

Ai kujtoi se gjatë një proteste të zhvilluar në Fushë Arrëz kundër këtij projektligji, edhe vetë kryetari i Bashkisë së Pukës, Rrok Dodaj, kishte shprehur mendimin se nuk dëshironte shkrirjen me Fushë Arrëzin. “Kryetari i Bashkisë Pukë, kryetari i këshillit bashkiak, kryetari i Bashksië së Mirditës erdhi sepse jena zonë kufitare dhe na lidhin traditat. Ai deklaroi publikisht që unë nuk jam dakord të bashkohem me Bashkinë e Fushë Arrëzit. Edhe kryetari i këshillit bashkiak deklaroi që nuk jemi dakord”, tha Curri.

Sipas tij, fatet e një komuniteti nuk mund t’i vendosi një ministër apo një deputet i zonës. “Si mund të merret veto? Cili deputet i maxhorancës e voton këtë? Trendi i politikës botërore ka ndryshuar, nuk është më si para 10 viteve. Mendoni pak, nëse do të duhen djem për t’i dalë zot vendit, mendoj që i pari që nuk do të pranonte të rekrutohej do të ishte zoti Mazniku, se do t’i dilte një punë jashtë shtetit...”, tha Curri.

“Ne nuk mund t’i lëmë fatet e të ardhmes të komunitetit të Fushë Arrëzit, që është mbrojtur kur nuk ka pasur shtet, si mund ta pranojmë që me ne mund të luhet. Ne i kemi bërë shërbime qytetarëve me ato mundësi që kemi pasur. Nuk mendoj se kjo është ekspertizë e hartuar me ekserptë të Bashkimit Europian”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos