"Unë në Valencia kisha rikthimin tim më të fuqishëm politik, një nga rikthimet më të fuqishme politike në historinë e Europës pas luftës".
Kështu u shpreh Sali Berisha në një konferencë për shtyp pasditen e së enjtes, ku foli për rezolutën e Partive Popullore Europiane (PPE) mbi zgjedhjet e 11 majit.
"Fjala që mbajta dhe takimet e njëpasnjëshme me dhjetëra dhe qindra të pranishëm, ishin dëshmi se si ishte mirëpritur rikthimi i Sali Berishës. Çfarë falënderimesh mora unë nga miqtë dhe partnerët për vendimin që mora dhe punën që bëra për rikthimin.
Kjo është e vërteta. Gjatë atyre dy ditëve, pata rastin të takohem dhe të përshëndetem me shumë e shumë drejtues dhe udhëheqës të forcave politike të pranishëm, ndër të cilët të përshëndetem me kancelarin Merz, kryeministra, komisionerë, drejtues partish politike. Kthehem pra me energji të shumëfishuara në këto ditë fushate, në të cilat shqiptarët po shkojnë drejt një fitoreje të themi plebishitare është pak", deklaroi Berisha, shkruan A2.
"Mbasi krahas tyre, të gjitha pa përjashtim, pollet online nxjerrin përtokë partinë e Edi Ramës. Ato që nuk i kontrollon dot dhe nuk i paguan dot ai për t’i modifikuar. Por, i lëmë pollet. Shikoni dy fushata të pakrahasueshme. Njëra me njerëz të lirë, qytetarë të lirë, që vijnë me kënaqësi të madhe për të ndjekur programin, tjetra me zyrtarë të detyruar, kokulur, që përpiqen të fshehin dhe fytyrën se nuk e duan veten kurrë të jenë në ato takime. Plus disa shenja të tjera shthurje dhe shpartallimi. Edhe komisionerët po refuzojnë të marrin detyrat dhe i përgëzoj. Nuk mund të rrija pa dalë para jush në mënyrë të jashtëzakonshme se nuk është koha e konferencave kjo, zakonisht i bëj në drekë. Por mendova se meqenëse pashë se kjo mbështetje e paprecedent që shqiptarët kanë marrë për votën e lirë duhet të shkojë në çdo votër shqiptare, në çdo zemër", shtoi Berisha. (A2 Televizion)