Gjin Gjoni: Rama 30 vjet në pushtet, s’ka kasë politike më të vjetër se ai

Nga A2 CNN
27 Tetor 2025, 22:27 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, i ftuar në emisionin Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, tha se Rama është figura më e vjetër në pushtet që nga vitet ’90.

“Tani, pikëpamja ‘kasë e vjetër politike’ apo ‘moshë e vjetër’ janë dy elementë të ndryshëm. Të thuash ‘kasë e re politike’ për Edi Ramën që ka 30 vjet në pushtet, është absurd. Nga viti 1997 e deri më sot ka qenë ministër, kryebashkiak e kryeministër. Më gjatë se ai, nuk ka qëndruar askush në pushtet,” deklaroi Gjoni.

Deputeti demokrat theksoi se pushteti real sot është i përqendruar në ekzekutiv dhe në duart e qeverisë, jo te përfaqësuesit në Kuvend.

“Sot paraja është e lidhur me ekzekutivin, jo me deputetin. Ministrat dhe administrata shtetërore janë në funksion të zgjedhjeve, siç ka dalë edhe nga raporti i OSBE/ODIHR,” u shpreh ai.

Në vijim, Gjoni përmendi edhe ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, duke thënë se “do të kishte qenë më mirë të bashkëpunonte me drejtësinë për të ndihmuar në zbardhjen e aferave që prekin pushtetin aktual”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos