Politologu Afrim Krasniqi është shprehur se koncepti i Senatit që sipas tij duan të krijojnë kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha, është koncept komunist.
Komentet Krasniqi i bëri në studion e emisionit ‘Off the Record’ me gazetarin Andrea Danglli në A2 CNN, ku tha se Berisha kërkon që të fusë në Senat ata që kanë disa mandate në Parlament (pra të vjetrit).
Ai shtoi gjithashtu se kur Sabri Godo hodhi idenë për një Dhomë të Dytë (Senat) në Shqipëri, kishte kushte krejt të tjera.
“Debati kryesor ka qenë edhe për Senatin. Sabri Godo e hodhi idenë e Senatit në vitin 1997, kur opozita nuk kishte përfaqësim. Atherë ideja e Senatit u hodh si një mekanizëm që mund të kufizonte veprimin e Dhomës së parë të Parlamentit të mazhorancës absolute. Kjo mund ta çonte vendin në zgjedhje të reja.
Kështu që ishte një kartë politike që në momentin politik kishte vlerë. Por ka qenë konteksti tjetër. Por nëse ne duam, para se të shkojmë te ideja ‘ku t’i gjejmë vend filanit për ta larguar nga politika dhe partia’, ne duhet të bëjmë një debat, një studim se çfarë na ka shkuar keq, çfarë duhet të ndryshojmë në sistemin politik për 20-30 vitet e ardhshme.
Koncepti i këtyre që kryetarët e partive dhe këta që kanë qenë me shumë mandate të shkojnë në Senat, është koncept komunist, nuk ka lidhje me konceptin e Senatit siç funksionon në vendet tradicionale. Senatorët konsiderohen njerëzit me integritetin më të lartë. Në Itali shumë Presidentë kanë refuzuar të hyjnë në Senat. Kurse këta tanët nëse do e bëjnë Senatin, do i vendosin emër dhe mbiemër”, tha mes të tjerash Krasniqi. (A2 Televizion)
 
                                           
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                    
						                   
 
						                    
						                    
						                   