Kryesia e PD vendos në 12 mars. Meta kërkon të garojë në Fier, Mediu e Dule drejt Vlorës

Nga Anesti Barjamemaj
6 Mars 2025, 17:25 | Politikë

Pas zyrtarizimit të koalicionit opozitar, Partia Demokratike është duke punuar ende me aleatët për hartimin e listave të kandidatëve për deputetë. Deri më tani qartësi ka vetëm Partia e Lirisë, që do të përfitojë katër vende të sigurta në listë. 

Ilir Meta do të garojë në Qarkun e Fierit, Tedi Blushi dhe Erisa Xhixho do të kërkojnë votat në Tiranë, ndërsa një vend i sigurt do të rezervohet edhe për Edmond Haxhinaston në Elbasan. 

PAA e Agron Dukës do të ketë një mandat të garantuar në Durrës. Ndërkohë, Mediu, Dule dhe Idrizi janë ende në negociata për të ndarë qarkun ku do të vendosin emrin, ndonëse mandatin do ta kenë të sigurt. 

Kreu i republikanëve preferon Tiranën, por mund të kalojë në Vlorë, ku mund të gjejë edhe homologun e PBDNJ. Ndërsa Idrizi kërkon të blindojë Mesila Dodën në Tiranë, ndërsa vetë preferon të garojë në listë të hapur. 

Vendimin përfundimtar për listat pritet që ta marrë mbledhja e Kryesisë së PD në 12 mars, ditë kur skadon dhe afati për të depozituar në KQZ kandidatët për deputetë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos