Adriatik Lapaj nga “Shqipëria Bëhet” ishte i ftuar në Debat në A2 CNN ku foli rreth përgatitjeve që subjekti ku ai merr pjesë po bën në lidhje me zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Lapaj u shpreh se “Shqipëria Bëhet” është gati për koalicion me këdo që nuk ka qenë i konsumuar në pushtet apo që mbështet SPAK.
Sipas tij, sot nuk ka ideologji, por një përballje direkte mes të korruptuarve dhe të pakorruptuarve.
“Jemi gati t’i shtrijmë dorën të gjithë atyre që nuk janë konsumuar në pushtet. Kemi propozuar një bashkim forcash. Kështu në Durrës një forcë ta drejtojë listën dhe ne ta mbështesim dhe e njëjta gjë dhe në qarqet e tjera. Do të mbajmë derën hapur për subjekte dhe individë që duan të angazhohen deri në afatin e dorëzimit të listave. Ne jemi të hapur deri sa ligji të na lejojë. Asnjë forcë apo politikan që ka qenë në pushtet. Ne duhet t’i japim qytetarëve piketat tona, programin tonë. Sot nuk është e rëndësishme ideologjia, Shqipëria është në vdekje klinike. Sot kemi përballë kush është i korruptuar dhe kush jo. Jemi pro SPAK. Kush është kundër SPAK nuk mund të bashkëpunojmë”, tha Lapaj.
(A2 Televizion)