Lëvizja Bashkë do të ketë kandidatin e saj në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës. Lajmin e konfirmoi në studion e Ditarit me Pandi Gjatën në A2 CNN, deputeti i kësaj partie Redi Muçi, sipas të cilit kryeqyteti është bastioni i Lëvizjes Bashkë, ku kanë mbështetjen më të madhe qytetare.
“Ne në Tiranë kemi mbështetjen tonë kryesore. Për hir të së vërtetës PS krahasimisht me 4 vite më parë pësoi humbje dhe një pjesë e mirë e qytetarëve të Tiranës që dikur kanë votuar PS-në e kanë kthyer votën te Lëvizja Bashkë. Tirana është bastioni ynë kemi mbështetje të madhe dhe gjithmonë për qytetarët e Tiranës do kemi një alternativë, pavarësisht faktit që fushatat kanë kosto financiare dhe të energjive që shpenzojmë. Megjithatë ne jemi të gatshëm të hidhemi në fushatën e radhës kurdo që mbahen zgjedhjet në Tiranë. Do kemi kandidatin tonë”, pohoi Muçi në A2 CNN.
Ai hodhi poshtë idenë për një kandidat të përbashkët të opozitës në këto zgjedhje, dhe theksoi se partia e tij nuk do të vendoset kurrë në funksion të një kandidati të Partisë Demokratike.
“Qëndrimi ynë është ai që kemi patur edhe në zgjedhjet e 11 majit që nuk bashkëpunojmë me opozitën. Nuk bëhemi vegël e patericë që një figurë e PD të zëvendësojë një figurë të PS se kjo nuk ka sjellë asnjë të mirë ndaj vendit tonë. Duke qenë parti e së majtës demokratike, ne synojmë të bindim një pjesë të madhe të elektoratit të zhgënjyer me PS dhe pse jo me PD. Por ama që t’i kërkojmë qytetarëve vota që të zgjedhim një kandidat të PD-së, kjo nuk ka për të ndodhur kurrë”, theksoi deputeti në A2 CNN.
I pyetur nëse do të jetë kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, kandidati potencial për të garuar në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës, Muçi u përgjigj: “Këtë do ta diskutojmë në strukturat e partisë kur të shpallen zyrtarisht zgjedhjet. Ende nuk e kemi vendosur. Mund të jetë dhe Arlindi”. (A2 Televizion)