Në tryezën ndërqeveritare në Bruksel, Shqipëria hapi grup-kapitullin e agjendës së gjelbër, në të cilin përfshihen Transporti, Energjia, Rrjetet Transeuropiane dhe Mjedisi. Me këtë takim të radhës, vendi ynë çon në 28 numrin e kapitujve të hapur në tryezën e negociatave me Brukselin.
“Transporti në këtë grup-kapitull do të ndihmojë në zgjerimin e rrugëve, në përmirësimin e transportit dhe në ndërlidhjen e Shqipërisë me sistemet evropiane. Ndërkohë që energjia do të ndihmojë në konkurrueshmërinë e drejtë, duke forcuar përdorimin e burimeve të ripërtëritshme. Kjo do të sigurojë përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë”, tha Marta Kos, Komisionere për Zgjerimin.
Qeveria shqiptare shpreson që të hapë brenda tetorit edhe grup-kapitullin e fundit, ose cluster siç e quan Brukseli, që lidhet me bujqësinë. Ky proces varet nga ecuria e punës me kapitujt e hapur tashmë, shkruan A2 CNN.
“Sot çelëm një tjetër grup-kapitull që, në fakt, përbën grupin e pestë në 11 muaj dhe, mesa di unë, ky është një rekord. Presim me padurim të çelim grup-kapitullin e fundit përpara mbylljes së këtij viti”, tha Rama.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, i bëri me dije shefit të ekzekutivit, Edi Ramës, se procesi më i vështirë i integrimit nis pas hapjes së kapitujve.
“Nuk është e lehtë të çelësh kapitujt, por është edhe më e vështirë t’i mbyllësh dhe të kryesh reformat. BE-ja mbështet ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur procesin deri në vitin 2027, por integrimi, sidomos në disa reforma të rëndësishme, ka nevojë për gjithpërfshirje kombëtare. Vizioni i kryeministrit tuaj dhe i gjithë ekipit këtu është t’i përmbyllim negociatat në fund të 2027-s. E mbështesim këtë vizion: vazhdoni kështu me këtë ritëm, duke u siguruar që të përfshini Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat, sepse një konsensus i gjerë kombëtar përmirëson pranimin shoqëror dhe më tej, sidomos për fusha kritike si reforma në drejtësi, pavarësia e gjyqësorit, lufta kundër korrupsionit, e drejta e pronësisë, çështjet e pakicave dhe liria e medias, të cilat përmbushin piketat e ndërmjetme”, tha Kos.
Për të treguar se i bindet Brukselit, Rama kishte marrë me vete ministrin e ri të Mjedisit, si një kusht, sipas tij, të vendosur për negociatat.
“Tashmë kemi një ministri dhe ministër të dedikuar ekskluzivisht për mjedisin. Më duhet ta pranoj se ky është rezultat edhe i një farë trysnie nga kanalet e BE-së për ta bërë një gjë të tillë. Sigurisht, trysni miqësore. Këto dy vite sfida do të jetë të rishpikim veten duke u afruar gjithmonë e më pranë kërkesave të këtij grup-kapitulli, që janë jashtë mase të mëdha dhe shumë sfiduese”, tha Rama.
Danimarka, e cila mban presidencën e Këshillit të BE-së, nuk e fshehu mbështetjen për Tiranën zyrtare. “Zgjerimi është bërë një nevojë gjeopolitike. Shqipëri, nuk keni vetëm vikingët nga ana juaj, keni të gjithë BE-në: të gjitha shtetet anëtare mbështesin ecjen përpara me Shqipërinë. Një e ardhme e BE-së me Shqipërinë është shumë e rëndësishme për të gjithë ne”, tha Marie Bjerre, ministre e Çështjeve Europiane e Danimarkës.
Edhe në mënyrë simbolike, shefi i qeverisë shqiptare dhe komisionerja për Zgjerimin ndryshuan ngjyrat e kapitujve në “Murin e Zgjerimit”. (A2 Televizion)