Lëvizjet masive të votave mes kandidatëve në qarkun e Fierit, një fenomen i regjistruar edhe në radhët e Partisë Demokratike, janë komentuar nga Sali Berisha.
Kryetari i Partisë Demokratike, në një konferencë për mediat pohoi se cilido që ka tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve duhet të përballet me ligjin.
“Cilido që nuk zbaton ligjin, për mua do të jetë përgjegjës para ligjit. Pikë. Ky është komenti im. Por dallimi është i madh. Nuk kemi lëvizje mandati. Sigurisht nuk duhet të ndodhi, pikë. Qëndroj tek ajo që thashë”, tha Berisha.
Kreu i opozitës pohoi se edhe pas rinumërimit nuk do të njohin zgjedhjet, por shton se do të vijojnë sërish të kërkojnë qeveri teknike. Sipas tij edhe refuzimi i mandatit nga Maldrita Bardho që për 10 vota i zuri vendin Zegjine Çaushit në Fier, tregon se mandatet janë letra pa vlerë.
“E patë si i kaloi asaj tjetrës së i duhet Zegjineja. Shikoni se çfarë janë, nuk ka rëndësi vullneti, nuk ka fare rëndësi qytetari. Qytetarët votuan për atë zonjën tjetër. Brenda 5 orëve mandatin e saj e bënë të paqenë. E kthyen tek Zegjineja. E kthyen por dolën lakuriq para botës, ja se ç’janë, ja si votuan, ja si i numëruan”, shtoi kreu i PD.
Teksa u pyet për kontratën e lobimit në SHBA, Berisha sërish hoqi përgjegjësitë për pagesën duke thënë se pakti është mes fondacionit në Amerikë dhe kompanisë.
“Ne jemi transparent dhe njoftojmë çdo gjë. Vetë kompania është supertransparente. Ka një uebsite ku publikon çdo dokument... ...Flamur Noka ka firmosur se pranon shërbimin. Kontrata jo midis dhe kompanisë, është midis fondacionit dhe kompanisë... ...Përsa kohë që nuk ka marrë një vendim do të ju qartësoj”, u shpreh Berisha.
Kreu i opozitës komentoi edhe vizitën e tij në Portugali ku mori pjesë në asamblenë parlamentare të OSBE, teksa pohoi se paraqiti prova dhe fakte për atë që e quajnë farsë zgjedhore. (A2 Televizion)