Një skenar si në filma i quan Sali Berisha të gjitha lëvizjet brenda bashkisë së Tiranës, ku prej dy ditësh kanë ndodhur disa shkarkime dhe riemërime, për të cilat ka reaguar publikisht nga qelia edhe kreu i burgosur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Një skenar me habira, me çudira, të denja për çdo puntatë të Narcosit. Në puntatën e fundit pra, çfarë ndodh? Ndodh që Erion Veliaj ka shndërruar qelinë në zyrën e bashkisë. Erion Veliaj aty firmos dhe vulos sikur të ishte në zyrën e bashkisë”.
Në një konferencë për mediat, Berisha e konsideroi si të jashtëligjshme drejtimin e bashkisë nga Anuela Ristani, pasi sipas tij është këshilli bashkiak ai që vendos drejtuesin e institucionit në mungesë të kryetarit. Lideri i opozitës kërkoi hetime nga Avokati i Popullit.
“I çuan atij përpara një plumb në zarf, apo e droguan, apo çfarë i bënë, këto nuk i di unë asnjë. Por këto pikëpyetje po shtrohen mbarë kudo. Pra është i domosdoshëm një hetim nga Avokati i Popullit”.
Një përgjigje pati edhe Edi Ramën, i cili kalin e betejës në fushatë elektorale ka premtimin për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ylli polar i programit të PD do të jetë interesi kombëtar dhe ai qëndron në integrimin e Shqipërisë në BE. Me Edi Ramën shkohet drejt të shkuarës dhe jo në BE”.
Marrëdhënien e re të shprehur përmes videosh mes Lulzim Bashës dhe Edi Ramës, e sheh si një keqpërdorim që Kryeministri po i bën ish-kryedemokratit, për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik nga problemet e mazhorancës. (A2 Televizion)