Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka reaguar pasi kryeministri Edi Rama ditën e sotme prezantoi qeverinë e re.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hasani ka falënderuar kryeministrin Edi Rama për besimin e dhënë gjatë këtyre 2 viteve që ka qenë Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, përcjell A2 CNN.
Ai po ashtu ka uruar Elisa Spiropalin, e cila do të mbajë në vijim detyrën e ministres për Europën dhe Punët e Jashtme.
Reagimi i Hasanit:
Për një diplomat, është një nder i jashtëzakonshëm, por edhe një përgjegjësi e madhe të drejtojë Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për dy vitet e fundit, pata këtë privilegj, duke u përpjekur çdo ditë ta shoh punën me sytë e kolegëve dhe të mbështes, me përulësi, shërbimin e rëndësishëm të përfaqësimit dinjitoz të Shqipërisë dhe interesave të saj në botë.
E kam kryer këtë detyrë me bindjen se rruga e vetme e qëndrueshme është forcimi i institucioneve dhe integriteti, dhe se diplomacia efikase i ka rrënjët në bashkëpunim, përmbajtje dhe besueshmëri.
Faleminderit Kryeministrit Rama për besimin e dhënë dhe urime Znj. Spiropali për këtë përgjegjësi. Mirënjohës për kolegët dhe partnerët, brenda dhe jashtë vendit, që ndanë këtë rrugëtim. (A2 Televizion)