Pas bashkimit me “turizmin” në mandatin e dytë qeverisës nën drejtimin e Blendi Klosit, pasi më herët kishte funksionuar si e mëvetësishëm nën drejtimin e Lefter Kokës në qeverinë “Rama 1”, mjedisi do të ketë sërish një ministri më vete.
Institucioni do të drejtohet nga Sofjan Jaupaj që mban aktualisht detyrën e zëvendësministërit të Turizmit dhe Mjedisit. Ai do të ketë përballë një “udhëtim” të ndërlikuar, të ndarë në kapituj sfidash që lidhen ngushtë me aspiratat evropiane të Shqipërisë.
Mjedisi është kapitulli më i vështirë në negociatat e Bashkimit Evropian dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve muajin e shkuar.
Bashkimi Evropian kërkon standarde të larta për mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e mbetjeve, ruajtjen e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.
Çdo mosrespektim mund të vonojë fondet, të ndalojë projektet dhe të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të vendit. Kjo sfidë përfshin jo vetëm ruajtjen e bregdetit, lumenjve dhe zonave të mbrojtura, por edhe menaxhimin e inceneratorëve dhe sistemit të trajtimit të mbetjeve, të cilët shpesh ngrihen si pika të nxehta të kritikave, pasi duhet të sigurohet që funksionimi i tyre nuk ndot ambientin dhe nuk kërcënon turizmin.
Ministria e re duhet të balancojë me kujdes interesat e biznesit, nevojën për zhvillim ekonomik dhe kërkesat e Bashkimit Evropian për standarde mjedisore të larta. Çdo vendim mbi inceneratorët, menaxhimin e plehrave apo zbatimin e politikave të gjelbra do të jetë një kapitull i rëndësishëm i “librit” të negociatave dhe një test për aftësinë e Shqipërisë për të treguar se mund të ketë turizëm modern dhe të qëndrueshëm, pa cenuar natyrën. (A2 Televizion)