Nga Koka te Klosi e tani Jaupaj, qeveria "ringre" Ministrinë e Mjedisit, i caktohet fusha e përgjegjësisë

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 19:23 | Politikë

Pas bashkimit me “turizmin” në mandatin e dytë qeverisës nën drejtimin e Blendi Klosit, pasi më herët kishte funksionuar si e mëvetësishëm nën drejtimin e Lefter Kokës në qeverinë “Rama 1”, turizmi do të ketë sërish një ministri më vete. Institucioni do të drejtohet nga Sofjan Jaupaj që mban aktualisht detyrën e zëvendësministërit të Turizmit dhe Mjedisit. Ai do të ketë përballë një “udhëtim” të ndërlikuar, të ndarë në kapituj sfidash që lidhen ngushtë me aspiratat evropiane të Shqipërisë.

Në vendimin e fundit të këshillit të Ministrave është miratuar edhe fusha e përgjegjësi së institucionit që do të trajtohet nga Jaupaj. Ajo garanton mbrojtjen e mjedisit e nga ndryshimet klimatike, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve e kullotave, monitorimin e cilësisë së ujërave apo mbrojtjen e pyjeve nga zjarret.

Mjedisi është kapitulli më i vështirë në negociatat e Bashkimit Evropian dhe ky shqetësim u ngrit edhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve muajin e shkuar. 
Bashkimi Evropian kërkon standarde të larta për mbrojtjen e natyrës, menaxhimin e mbetjeve, ruajtjen e zonave të mbrojtura dhe zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm. Çdo mosrespektim mund të vonojë fondet, të ndalojë projektet dhe të dëmtojë imazhin ndërkombëtar të vendit.

Kjo sfidë përfshin jo vetëm ruajtjen e bregdetit, lumenjve dhe zonave të mbrojtura, por edhe menaxhimin e inceneratorëve dhe sistemit të trajtimit të mbetjeve, të cilët shpesh ngrihen si pika të nxehta të kritikave, pasi duhet të sigurohet që funksionimi i tyre nuk ndot ambientin dhe nuk kërcënon turizmin.

Ministria e re duhet të balancojë me kujdes interesat e biznesit, nevojën për zhvillim ekonomik dhe kërkesat e Bashkimit Evropian për standarde mjedisore të larta. Çdo vendim mbi inceneratorët, menaxhimin e plehrave apo zbatimin e politikave të gjelbërta do të jetë një kapitull i rëndësishëm i “librit” të negociatave dhe një test për aftësinë e Shqipërisë për të treguar se mund të ketë turizëm modern dhe të qëndrueshëm, pa cenuar natyrën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos