Alibeaj: Pse Erion Veliaj nuk do e çojë vendimin e shkarkimit në ‘Kushtetuese’, ka goditje nga të gjithë krahët

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 19:14 | Politikë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, drejtues i Partisë Djathtas 1912, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se Erion Veliaj nuk do e çojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e shkarkimit të tij.

Komentet Alibeaj i bëri teksa ishte i ftuar në ‘Ditari i Pasdites’ me gazetarin Pandi Gjata në A2 CNN, ku tha se Veliaj ka goditje nga të gjitha krahët dhe sipas tij, nëse do ta çonte çështjen në Kushtetuese, kjo nuk do të ishte në dobi të kryeministrit Edi Rama.

Ai tha gjithashtu se deri më tani nuk ka parë asnjë sinjal rebelimi nga ana e Erion Veliajt, teksa shtoi se mund të ketë edhe një pakt mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.

“Manastirliu e piketuar nga Rama, që mesa duket do të jetë edhe kryetare e Bashkisë, është një nga ato figurat që as në horizontin më të largët nuk do ta rrezikonte Edi Ramën. Rama arriti edhe një gjë tjetër, përdori edhe opozitën në Këshillin Bashkiak. E patë sesi ishin qëndrimet e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, përveç njërit, atë të zotit Topollaj, i cili lexoi në sytë e të majtëve dhe të djathtëve se çfarë ishte duke u luajtur.

Dhe kjo është ndoshta dëmi më i madh politik i radhës që i është bërë nga përfaqësuesit e Partisë Demokratike. Jo vetëm që duhej dëgjuar, por në fakt ka një mundësi tjetër, unë uroja që ndonjë jurist aty te qeveria të mund ta mendonte, që atë mangësi që Këshilli Bashkiak nuk ia dha mundësinë për t’u dëgjuar, unë mendoja se Këshilli i Ministrave do ia jepte mundësinë për t’u dëgjuar. Pavarësisht se Rama u mundua në publik që të thoshte që nuk e kam shkarkuar unë, por firmosa propozimin e ardhur nga Këshilli, në fakt propozimi edhe në formë, edhe në përmbajtje është i Edi Ramës.

Unë kam një përshtypje që Erion Veliaj nuk do e çojë dot çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që në këtë situatë, kaq kohë sa ai është në një sulm, ka goditje nga drejtësia, nga partia e vetë dhe nga një pjesë e opozitës, nuk kam parë asnjë lloj sinjal rebelimi prej qenie njerëzore nga ai.

Do të dukej e çuditshme nëse do e çonte në Gjykatën Kushtetuese, për një arsye, sepse një ankim eventual në Gjykatën Kushtetuese do e pezullonte shkarkimin. Çështja do të shkonte në Kushtetuese, Kushtetuesja do të merrte kohën e vetë dhe do të shtyhej në kohë. Elementi i shtyrjes apo zvarritjes nuk do të ishte në dobi të Edi Ramës. Ndoshta mund të ketë edhe një pakt me Veliajn për këtë situatë”, tha mes të tjerash Alibeaj. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos