Në qeveri edhe emra nga PL, Rama shkarkon Veliajn, Balluku drejton fushatën e Tiranës

Nga A2 CNN
25 Shtator 2025, 19:02 | Politikë

Një prej akteve të para të miratuara nga Këshilli i Ministrave është edhe shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës. Qeveria “Rama 4” e ka nisur punën me miratimin e propozimit të Këshillit Bashkiak për largimin nga detyra të kryetarit, i cili ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit të këtij viti.

Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Veliaj ka të drejtën ta ankimojë atë në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, gjë që më pas i hap rrugën dekretimit nga Presidenti të datës së zgjedhjeve të parakohshme, shkruan A2 CNN.

Përveçse punës në qeveri, Edi Rama me PS kanë nisur edhe fushatën elektorale në Tiranë, ku ka vendosur në krye të drejtimit politik për kryeqytetin numrin 2 të qeverisë. A2 CNN mëson se Belinda Balluku do të drejtojë ekipin e kryeqytetit në garën politike për ta bërë kryetare të Bashkisë Egerta Manastirliun.

Kabineti qeveritar do të ketë emra të rinj në nivel zëvendësministrash. A2CNN mëson se ish-deputetja e LSI-së dhe këshilltare në Bashkinë e Tiranës, Silva Caka, është emëruar në postin e zëvendësministres së Brendshme.

Një rikthim tek Shëndetësia do të ketë edhe Eugena Tomini, si zëvendësministre, ndërsa ish-ministrja dhe ish-deputetja e Shkodrës, Edona Bilali, do të shërbejë si zëvendësministre në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në mbledhjen e qeverisë janë diskutuar gjithashtu ndarja e përgjegjësive dhe fushave të veprimit të ministrive, sidomos të atyre që në këtë mandat kanë pësuar ndryshime. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos