Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka sqaruar në një konferencë për mediat se kontrata e lobimit prej 6 milionë dollarësh në Amerikë nuk ka lidhje me zgjedhjet parlamentare. Berisha tha se marrëveshja është e ligjshme dhe një ndër qëllimet e saj është të informojë Shtetet e Bashkuara për realitetin në Shqipëri.
Sali Berisha kërkoi t’i mëshonte sërish rezolutës së Partive Popullore Europiane mbi qëndrimin e tyre për zgjedhjet në Shqipëri, por interesi mediatik ishte tjetërkund. Pyetjet mbi kontratën e lobimit në SHBA kishin ditë që prisnin përgjigje, shkruan A2.
Kryedemokrati u kujdes të nënvizonte se Partia Demokratike është thjesht përfituese e një dhurate, duke cituar edhe ligjin e partive politike: “Neni autorizon partitë politike të marrin ndihma nga fondacionet”.
Rëndësinë e këtij bashkëpunimi, Berisha e lidhi me fatin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA, dhe duke treguar se ku do të jetë fokusi i saj: “Ne besojmë se bashkëpunimi i Edi Ramës me bandat është rrezik jo vetëm për Shqipërinë dhe rajonin, por edhe për SHBA-në. Gjithashtu, besojmë se çështja McGonigal duhet të mbyllet”.
Mes pyetjeve pa përgjigje ishte edhe ajo, se nëse nëpërmjet kësaj kontrate lobimi po kryhet edhe pagesa për Chris LaCivita?
“LaCivita është kontraktuar si këshilltar elektoral i PD-së”, tha Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp, Berisha u shpreh se kjo kontratë nuk është mbajtur e fshehtë, por se demokratët duhet të përqendrohen te fushata. (A2 Televizion)