“Tensione në Durrës, patronazhistët na ndjekin me makina", Jola Hysaj: Presion administratës e bizneseve

Nga A2 CNN
1 Maj 2025, 22:17 | Politikë

Kandidatja e Partia Demokratike për deputete, Jola Hysaj teksa bëri një rezyme të 20 ditëve fushatë në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, tha se në qarkun e Durrësit periudha para zgjedhjeve të 11 majit është shënjuar nga tensioni dhe shantazhi ndaj votuesve.

Sipas Hysajt më të intimiduarit janë biznesi i vogël, qytetarët që kanë banesa në proces legalizimi dhe ata që janë të punësuar në administratë ose bashkinë e Durrësit, të cilëve u bëhet presion duke u thënë se do t’u lexohet vota.

“Jemi në pikën më të nxehtë të fushatës ku asgjë nuk ka ndryshuar. Durrësi në vetëve si qark është katalizator i gjithë Shqipërisë, Të paktën për mua nga eksperiencë në 20 vite nëse ndryshimi nisi nga Durrësi, do të thotë që ka ndryshim në të gjithë Shqipërinë. Tensionet ka, ajo që ka ndodhur këtë fushatë në Durrës, ndryshe nga fushatat e tjera janë tensione në ujëra të nëndheshme ende. Presioni në administratë dhe bizneset e vogla është shumë i fuqishëm. Atyre u thuhet se është e mundur që t’ua lexojnë votën ende pa shkuar në kuti. Kjo është e tmerrshme. Unë e lexoj në dy aspekte. Ose do të ketë deri diku kufizim të njerëzve për të votuar, gjë e cila ka ndodhur edhe më herët për shkakun e vetëm se janë kërcënuar më herët dhe nga ana tjetër janë shantazhuar për leximin e votës. Qoftë kjo edhe përmes legalizimeve që janë premtuar ose parave dhe pozicioneve të punës, ku u është thënë që të hiqen nga puna kur të lexohet vota e tyre. Unë u them qytetarëve që është e pamundur që të lexohet vota. Është gënjeshtër, është presion inekzistent”, tha Hysaj në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN.

Për të ilustruar më së miri situatën, Hysaj solli një rast të freskët nga takimet e saj elektorale, duke thënë se në lagjen nr.8 teksa ecnin në rrugë dhe takonin banorë të zonës, janë ndjerë të kërcënuar nga prezenca e patronazhistëve.

“Në zona të caktuara të Durrësit tensioni është në rritje. Unë mund të jap shembullin e para dy ditëve në lagjen nr.8 në Durrës, në të cilën ne shoqëroheshim jo vetëm nga patronazhistët, por i kishim duke bërë xhiro nëpër këmbët tona me makina. Jo për të na intimiduar ne, por qytetarët e zonës. Ky lloj kontrolli, që vjen në këtë lloj forme bëhet shumë i frikshëm për qytetarët. Unë duke e njohur Durrësin dhe heshtjen e durrsakëve unë mendoj se kjo do të shkoj në formën më të mirë të mundshme për ndryshimin”, deklaroi Hysaj në “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos