Mbetjet e rrezikshme në Durrës, Cara: Kontejnerët prej muajsh pranë zonave të banuara

Nga A2 CNN
7 Gusht 2026, 15:12 | Politikë

Deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, u shpreh i shqetësuar lidhur me kontejnerët me mbetje të rrezikshme, që prej shumë muajsh vazhdojnë të mbahen në periferi të qytetit të Durrësit.

Ai ngriti disa pyetje për autoritetet, lidhur me sigurinë e qytetarëve që banojnë në atë zonë.

“Cili është statusi i sotëm juridik dhe administrativ i 102 kontenierëve dhe cili institucion mban përgjegjësinë kryesore për ruajtjen, kontrollin dhe administrimin e tyre? Përse Ministria e Mjedisit nuk ka bërë publike deri më sot një plan të plotë për trajtimin përfundimtar të rreth 2800 tonëve mbetje të rrezikshme?

A është pajisur ambienti ku ndodhen kontejnerët me leje mjedisore ose autorizim të posaçëm për ruajtjen e mbetjeve të rrezikshme?

A janë marrë dhe analizuar mostra nga toka, ujërat sipërfaqësore, ujërat nëntokësore, puset e zonës dhe ajri përreth venddepozimit? Nëse po, cilat janë rezultatet dhe përse ato nuk janë bërë publike?

A konfirmon Ministria se 102 kontejnerët janë të padëmtuar, të mbyllur hermetikisht dhe pa shenja korrozioni, rrjedhjeje ose përhapjeje të materialit? A ekziston një inventar teknik individual për gjendjen e secilit kontejner?

A disponon venddepozitimi sipërfaqe të papërshkueshme, mbulim nga reshjet, sistem për mbledhjen dhe trajtimin e ujërave të ndotura, masa për kontrollin e pluhurit dhe plan për ndërhyrje emergjente?

A janë njoftuar zyrtarisht banorët, bizneset dhe institucionet që ndodhen pranë zonës mbi natyrën e materialit, rreziqet potenciale dhe masat që duhet të ndjekin në rast incidenti?”, tha ndër të tjera Cara.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos