Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, bën lëvizjen e parë pas marrjes së detyrës, duke shkarkuar zv.ministrin e Brendshëm Andi Mahila, raporton A2 CNN. Mahila si zëvendës ministër kishte përgjegjësi për fushën e Emigracionit dhe Azilit, fushë e cila u kritikua nga kryeministri Rama kur prezantoi Koçiun.
Koçiu u prezantua të premten në detyrën e re në qeverinë e kryeministrit Edi Rama, duke u bërë e para grua që merr postin e Ministrit të Brendshëm. Vetë kryeministri Edi Rama i cili ishte i pranishëm gjatë prezantimit, e cilësoi këtë moment si historik, teksa shtoi se vendosja e Koçiut në krye të kësaj Ministrie, do të sjellë ndryshime rrënjësore në këtë dikaster.
Rama vuri theksin te riformatimi i shërbimeve zjarrfikëse, pas zjarreve të verës që treguan rëndësinë e trajtimit të kësaj çështjeje, shkruan A2 CNN. Shefi i qeverisë po ashtu nxori në pah mungesën e një sistemi funksional të adresave për vendbanimet shqiptare, një problem që vazhdon të jetë i pranishëm edhe pas 35 vitesh.
“Albana Koçiu vjen me një profil krejt tjetër nga paraardhësit dhe me një mision të qartë: ta kthejë Ministrinë nga një institucion tradicionalisht i lidhur ngushtë me Policinë e Shtetit, në një ministri Punësh të Brendshme që funksionon sipas standardeve evropiane.
Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën vetëm punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Një qasje tjetër është e domosdoshme, sepse sfidat e së ardhmes kërkojnë ndryshime thelbësore, jo vetëm për problemet që kanë ndodhur, por për ato që do të ndodhin”, përfundoi kryeministri Rama. (A2 Televizion)