Juristi Indrit Sefa, i ftuar në studion e “Puls” nga Bruna Çifligu, në A2 CNN, deklaroi se Erion Veliaj “do të ishte në një pozitë më të favorshme penale sot nëse do të jepte dorëheqjen”.
“Unë mendoj që zoti Veliaj duhet të kishte dhënë dorëheqjen që në 10 shkurt. Është gabim i madh strategjik i tij dhe gabim nga ana politike. Betejën me drejtësinë duhet ta përballonte vetë. Kishte aq mundësi sa ta përballonte vetë, pa mbështetjen e stafit të Bashkisë. Do të ishte edhe në një pozitë më të favorshme penale sot”, tha Sefa.
Më tej, juristi shton: “Fakti që është kryetar bashkie e ka dëmtuar atë në procesin penal. Nëse do e jepte dorëheqjen, mund të ishte vetëm në arrest shtëpie sot. Fakti që ai zgjodhi të mbrohej me Bashkinë e Tiranës dhe Partinë Socialiste, tregoi qënien e tij jo si njeri që është në shërbim të qytetarëve”.
Sipas Sefës, “Veliaj, duke dashur të mbrohet, i ka bërë dëm më të madh Partisë Socialiste”.
(A2 Televizion)