
Për dy ditë Pogradeci kthehet në qendër të vëmendjes politike ku kryeministri Edi Rama zhvillon takime si me drejtuesit politikë të partisë, ashtu edhe ministrat e kabinetit qeveritar për të kaluar në sitë një nga një punën e secilit.
Gazetari i A2 CNN, Artin Halili raporton se dita e parë e takimit do t’i kushtohet çështjeve politike dhe diskutimit të dokumentit të “Besës”, ndërsa dita e dytë do të fokusohet te llogaridhënia e ministrave për rezultatet e arritura.
Mbledhjet do të zhvillohen në ambientet e jashtme të vilave qeveritare, nën masa të shtuara sigurie.
Kryesocialisti e nis retreat të dielën me punët e partisë të parën dhe të Parlamentit. Në 11:30 drejtuesit politik dhe kryetarët e komisioneve parlamentare do të marrin vërejtjet dhe porositë nga kryetari. Jeta parlamentare me nisjen e sesioni politik nis me sfidën e reformës territoriale, për të cilën socialistët po hasin në rezistencë e të gjithëve. Por nuk është vetëm kjo, pasi në “lojë” është edhe reforma elektorale apo ligjet që duhet të miratohen si detyrim me përafrimin e legjislacionit tonë me atë të BE.
Ndërsa Parlamenti do të nisë në mes protestave, partia duhet të angazhohet përzgjedhjet e ardhshme lokale, ku Edi Rama dhe ekipi i tij synojnë të mos lëshojnë pushtet në asnjë bashki. Për këtë arsye drejtuesit politik do të duhet të dorëzojnë matjet e tyre të opinion publik sidomos në atë zona ku janë shkrirë njësitë vendore. Dhe gjithashtu të vendosen parimet se si do të jetë përzgjedhja e kandidatëve të PS për kryetar bashkie, edhe pse disa emra nën zë e pranojnë që e kanë rikonfirmuar besimin e Ramës.
Të hënën përpara kreut të qeverisë do të dalin ministrat e kabinetit, edhe pse disa prej tyre do të duhet të qëndrojnë dy ditë për shkak se mbajnë edhe postin e drejtuesit politik. Analiza e punës së bërë edhe objektivat e vitit të dytë të mandatit të katërt do të jenë në fokus të kësaj mbledhje.
Të majtët do të shkojnë në Pogradec jo vetëm të përgatitur me analizën e dikastereve, zonave apo komisioneve që drejtojnë, por do të marrin me vete edhe ankthin nëse do të arrijnë të dalin nga kjo mbledhje me rikonfirmimin e posteve të tyre. Pa harruar Besën dhe Praninë besnike, dy dokumentet që Rama “ushqeu” të tijtë dhe opinionin publik gjatë kohës që pushonte në jug.
(A2 Televizion)