“Qeverisja e fshatit, hallka e dobët”, Rama: Kompani të përbashkëta mes fermerëve, bashkive dhe qeverisë

Nga A2 CNN
2 Korrik 2025, 18:06 | Politikë

“Qeverisja e fshatit, hallka e dobët”, Rama: Kompani të

Pasi pa nga afër shtëllungat e tymit nga djegia e mbetjeve urbane në Elbasan, Kryeministri Rama ju hakërrye kryebashkiakëve të këtij qarku, pa emër të përveçëm. Në takimin që zhvilloi me fermerët e zonës, u tërhoqi veshin drejtuesve vendorë për mosbashkëpunimin me sipërmarrësit në bujqësi.

Publikisht nuk foli asnjë fjalë për djegien e plehrave të inceneratorit, por kritikën e lidhi me dështimin e punës së tyre në raport me zhvillimin e fshatit.  

“Kjo është një hallkë e dobët e jona në qeverisjen e fshatit. Bashkitë janë zgjeruar me përmasën e hapësirës rurale, në vend se kjo të sillte një rritje të vëmendjes dhe një rritje të mundësive për fermerët dhe për sipërmarrjen në fshat, ka sjellë një shkëputje. Në një masë të madhe kryetarët e bashkive e shikojnë fshatin si çështje të urbanizimit, por nuk e shikojnë si pjesë të punës së tyre të përditshme në funksion të zhvillimit”, u shpreh kryeministri.

Për mandatin e katërt qeverisës, Edi Rama ka nevojë për një plan të ri se si institucionet duhet të bashkëpunojnë për t’i dhënë mundësi sipërmarrësit në fshat të fitojë, jo vetëm të mbijetojë. 

“Kjo kërkon sipërmarrje dhe pushteti vendor duhet të bëhet pararojë në këtë sipërmarrje. Jo pushteti vendor të jetë siç ndodh shpeshherë, se s’dua ta përgjithësoj, problemi kryesor për të marrë një vërtetim, për të marrë një certifikatë, për të marrë një leje, për të zhvilluar një projekt”, u shpreh Rama.

Nëse nuk ndryshon qasja, sipas tij, atëherë të gjitha nismat do të dështojnë. 

“Kemi vendosur në dispozicion të fermerëve të fshatit dhe një linjë të re kredie nga Banka e Shqipërisë, 250 milionë euro. Gjasat janë që të mos sjellin asnjë rezultat domethënës, në rast se ne nuk ndryshojmë qasjen. por është edhe Paketa e Maleve, që përsëri rrezikon të mbetet e pa shfrytëzuar në rast se ne nuk arrijmë të ndërtojmë mekanizmat e duhur”, shtoi ai.

Pas propozimit të 2 dy viteve më parë për krijimin kooperativat, këtë herë Edi Rama mendon që Bashkitë së bashku me pushtetin qendror dhe sipërmarrësit të hapin një shoqëri “biznesi” me fitim për të gjitha palët.

“Me subvencione nuk shkojmë larg, thjeshtë mbijetojmë, ndërkohë që në rast se krijojmë një shoqëri, një kompani, ku bashkia bëhet pjesë dhe ku qeveria bëhet pjesë përmes garancisë sovrane me kredinë, financim i është shumë më i madh sesa 10 vjet financim nga subvencionet”, tha kryeministri.

Kryeministri Rama ua bëri të qartë biznesmenëve që duhet të gjejnë alternative të reja, pasi në rast se qëndrojnë vetëm në shpresë të subvencioneve, fati i tyre nuk do të jetë pozitiv. 

“Buxheti i shtetit për bujqësinë ka shumë më pak sesa keni ju që jeni këtu, të deklaruara dhe të padeklaruara. Po të marrim ato që keni ju të deklaruara dhe të padeklaruara t’i bëjmë bashkë, vetëm në këtë sallë ka më shumë se çka buxheti i shtetit për bujqësinë. Si zgjidhet në buxhet kjo punë? Nuk zgjidhet me buxhet”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në këtë takim, mungonte kryebashkiaku i Elbasanit Gledis Llatja, i cili sipas burimeve kishte përveshur mëngët pak metra më tutje për t’u marrë me situatën e djegies së plehrave në inceneratorin e Elbasanit.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos