Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor nuk është dhomë pritjeje

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 16:24 | Politikë

Ministri Hasani në Forumin e Dubrovnikut: Ballkani Perëndimor nuk

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin e Dubrovnikut 2025, Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Igli Hasani, përcolli një mesazh të qartë dhe të vendosur: Ballkani Perëndimor nuk mund të trajtohet më si periferia e kontinentit, ai është pjesë thelbësore e së ardhmes strategjike të Europës.

Në prani të përfaqësuesve të lartë nga rajoni, Evropa dhe më gjerë – përfshirë SHBA-në, Gjirin, Brazilin dhe Afrikën, ministri Hasani theksoi se në kohë pasigurie dhe rivalitetesh gjeopolitike, besimi, transparenca dhe transformimi nuk janë zgjedhje, janë domosdoshmëri.

“Shqipëria nuk është një konsumatore e sigurisë, është kontribuuese. Nuk presim, po ecim përpara”, citohet të ketë thënë Hasani, raporton A2 CNN.

Ministri nënvizoi se Shqipëria ka hapur katër grupkapituj negociues, përfshirë kapitujt themelorë dhe tregun e brendshëm – dhe se rruga drejt BE-së është strategjike, e pakthyeshme dhe e mbështetur në reforma të qëndrueshme.

Ai paralajmëroi se vonesat në procesin e zgjerimit krijojnë boshllëqe që shfrytëzohen nga aktorë autoritarë, duke mirëpritur Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor si një mundësi konkrete për të përshpejtuar integrimin. “Europa nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor. Dhe Ballkani Perëndimor nuk do të jetë i plotë pa një vend të denjë në familjen europiane”, tha ai. 

Forumi i Dubrovnikut (Dubrovnik Forum) është një konferencë ndërkombëtare që mbahet çdo vit në qytetin e Dubrovnikut, Kroaci, dhe mbledh liderë politikë, diplomatë, akademikë dhe ekspertë nga vende të ndryshme. Qëllimi i forumit është të nxisë dialogun për çështje të rëndësishme globale dhe rajonale, si siguria, integrimi evropian, zhvillimi ekonomik dhe bashkëpunimi ndërkombëtar. Ai shërben si një platformë për shkëmbimin e ideve dhe përforcimin e partneriteteve, sidomos në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Forumi ka një karakter të hapur dhe joformal, çka e bën të përshtatshëm për diskutime të thelluara dhe bashkëpunime të reja. Temat ndryshojnë çdo vit, në varësi të zhvillimeve ndërkombëtare. Ai ka fituar reputacion si një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në rajon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos