Ministri i Mbrojtjes Pirro Vëngu ka pritur sot në një takim Komandantin Suprem të Aleancës në Evropë Gjeneralin Alexus Gregory Grynkeëich, në vizitën e tij të parë në vendin tonë. Në një postim të shpërndarë në rrjetet sociale, ministri bën të ditur se ka biseduar me gjeneralin amerikan për investimet në industri dhe infrastrukturën shqiptare, ku inovacioni do të jetë në qendër të investimeve modernizuese në të gjithë spektrin e aktivitetit tonë industrial dhe ushtarak.
“Kënaqësi të mikprisja sot Komandantin Suprem të Aleancës në Evropë (SACEUR) Gjeneralin Alexus Gregory Grynkeëich, në vizitën e tij të parë në vendin tonë.
Në vigjilje të mbledhjes se vendeve të Kartës së Adriatikut në Tiranë, ndajmë me SHBA të njëjtin vlerësim mbi natyrën dhe nivelin e kërcënimeve në Evropën Jug Lindore.
Në këtë kontekst biseduam për investimet në industri dhe infrastrukturë kritike që Shqipëria po ndërmerr për të rritur strukturalisht dhe vijueshmërisht kapacitetet e saj mbrojtëse dhe reaguese në përputhje me angazhimet tona në Samitin e Hagës.
Inovacioni do të jetë në qendër të investimeve modernizuese në të gjithë spektrin e aktivitetit tonë industrial dhe ushtarak, duke mbështetur në këtë mënyrë dhe rritjen e kapaciteteve të misioneve të NATO-s dhe BE-së ku trupat Shqiptare janë aktualisht të angazhuara, dhe posaçërisht në KFOR”, shkruan Vengu. (A2 Televizion)