Nga ministër në krye të komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani: I njëjti mision, këndvështrim i ri

Nga A2 CNN
16 Shtator 2025, 17:39 | Politikë

Nga ministër në krye të komisionit për Evropën dhe

Pas përfundimit të mandatit si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mirëpritur detyrën e ri si kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme. Në një postim në rrjetet sociale ai shprehet se është i njëjti mision, por nga një këndvështrim i ri, ndërsa rendit edhe sukseset e tij në krye të diplomacisë shqiptare.

“Mandati im si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme përfundon sot.

Ka qenë një nder të shërbej përgjatë një periudhe historike dhe transformuese për Shqipërinë të shënuar nga përfundimi i mandatit tonë të parë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, hapja e 28 prej 33 kapitujve negociues me BE-në, mikpritja e Samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, si dhe arritje të tjera që forcuan rolin tonë në Evropë dhe në botë, mes sfidave të thella për kontinentin tonë dhe më gjerë.

Jam thellësisht mirënjohës ndaj stafit të përkushtuar të MEPJ dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin e ngushtë.

Pres me kënaqësi rolin tim të ri si Kryetar i Komisionit Parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme – me të njëjtin mision, por nga një këndvështrim i ri”, shkruan Hasani në Facebook.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos