Votohet struktura në Kuvend, PS ndryshon komisionet, PD bojkoton procesin

Nga Ervin Koçi
16 Shtator 2025, 19:21 | Politikë

Kundërshtitë e demokratëve nuk ndryshuan qëndrimin e socialistëve. Me 79 vota në sallë, socialistë miratuan strukturën e re të komisioneve parlamentare duke çuar deri në fund porosinë e lënë nga kryesocialisti Edi Rama.

Seanca plenare e cila ngjasonte me diçka procedurale mori gati 90 minuta kohë ku Niko Peleshi tregoi durim duke i dhënë fjalën çdo demokrati që e kërkoi për procedurë. Pas diskursit procedural, nisi ai politik, ku në emër të socialistëve, Taulant Balla tregoi arsyet se përse duhet ndryshuar struktura e Kuvendeve.

Fjalët e Ballës morën si përgjigje akuzat e Berishës, të cilat kaluan nga shkelja e kushtetutës tek ato për bashkëpunimin me krimin e organizuar.

Me përfundimin e fjalimit përfundoi edhe qëndrim i demokratëve në sallë të cilët u larguan për të mos marrë pjesë në votim, ndërsa socialistët, pas ndryshimit të rregullores, bëhen gati të miratojnë qeverinë “Rama 4” brenda kësaj jave. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos