Mocion për shkarkimin e Peleshit, “U shkel Kushtetuta”, PD: Të përsëritet seanca

Nga A2 CNN
18 Shtator 2025, 15:17 | Politikë

Mbyllja e seancës për 20 minuta dhe mungesa e debatit parlamentar për programin qeverisës detyroi demokratët të mblidheshin në mënyrë urgjente.

“Fjalët nuk kanë aspak vlerë, por në veprime, në veprime, në veprime”, tha Sali Berisha.

Fjalimi i Edi Ramës në Kuvend dhe prezantimi i Diellës për demokratët ishin shpallje lufte ndaj opozitës, dhe çfarë është më e rëndësishme, shkelje e rëndë e kushtetutës. 

“Asgjësoi vullnetin e të gjithë shqiptarëve që morën pjesë në votim. Përfaqësuesve të atyre që votuan kundër Edi Ramës. Republikës parlamentare. Kushtetutës së kësaj republike. Shpalli luftë të hapur, me një skenar të përgatitur, bashkë me kreun e parlamentit, që është një individ skllav i krimit dhe korrupsionit të vet dhe që tregoi se është i aftë të zbatojë çdo skenar të gatshëm që vjen nga Edi Rama dhe banda e tij”, tha Berisha.

Koha e fjalëve ka mbaruar, pohoi Berisha, dhe kërkoi prej deputetëve që të hidheshin në veprim.  “Ndaj të nderuar deputetë, ne duhet të kalojmë në veprime, veprime dhe vetëm veprime”, u shpreh Berisha.

Veprimet e ndërmarra për mediat i prezantoi kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, i cili pas mbledhjes me dyer të mbyllura shpalosi tre kërkesa, shkruan A2 CNN.

“Të përsëritet seanca, Begaj të mos presë për betim ministrat, do të nisim procedurat për shkarkimin e Niko Peleshit”, u shpreh Bardhi.

Të pyetur se çfarë do të bëjnë nëse mazhoranca dhe Presidenti nuk marrin parasysh asnjë prej kërkesave të tyre, Bardhi pohoi se do të ketë mbledhje të tjera të grupit për të vendosur çfarë qëndrimesh do të mbajnë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos