Mulaj: Rama e Berisha bëhen bashkë për amnistinë, po jo për Kosovën

Nga A2 CNN
16 Tetor 2025, 23:22 | Politikë

Gazetarja Esmeralda Mulaj, e ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deklaroi se ajo që ndodhi sot në Parlament është e turpshme.

“Dihet se të gjithë mundohen ta përdorin politikisht, por për mua ajo çfarë ndodhi sot më e pakta është e turpshme. Është e turpshme në gjithë mënyrën se si nisi dhe se si filloi përplasja Shqipëri-Kosovë, sepse nuk dua as t'i vë emra, as ta personalizoj dhe as t'i hedh më shumë benzinë zjarrit që ndezën sot. Nga Kosova në Tiranë, nga Tirana në Kosovë, brenda Parlamentit... Ne duhet të kishim në fakt një bashkim të madh të të gjithëve sepse të gjithë liderët politikë përfaqësojnë ato grupime të mbështetësve të tyre e të gjithë bashkë përbëjmë kombin shqiptar”, tha Mulaj.

“Duhet të ishte një mesazh përbashkues, të gjithë të flisnin me një zë për të ndaluar atë që për mua është dëmi më i madh që po synohet t'i bëhet luftës për lirinë e Kosovës, atë çfarë po ndodh në Hagë, me dokumente, me dëshmi të Serbisë për të shpallur UÇK-në një organizim kriminal, një grupim kriminal. Sot ne dëgjuam dhe pamë kush është më tradhtari, kush i ka bërë më shumë dëm Kosovës... Nuk dëgjuam asgjë nga ajo çfarë duhet të dëgjonim nga të gjithë liderët tanë, vijnë apo nuk vijnë nesër në manifestimin që mbahet në sheshin “Skënderbej”. Manifestimi i tretë. Dy janë bërë në Prishtinë, një është bërë në Hagë që ka mbledhur shqiptarë nga gjithë vendet europiane. I katërti i takon të bëhet në Shqipëri, sepse Shqipëria është edhe garanti i të drejtave të shqiptarëve kudo ku ndodhen. Ne sot pamë një shfaqje të turpshme që unë do doja të mos e kishim parë e do doja që sot të mos ishte e enjte, të ishte bërë ndoshta më herët ajo. Sepse mesazhi që përcollëm sot për Serbinë dhe për të gjithë ata që janë investuar për Hagën ishte më i gabuari i mundshëm”, theksoi Mulaj.

Fatos Klosi deklaroi se “politika shqiptare gjithmonë ka qenë një kontrast i jashtëzakonshëm dhe politikanët asnjëherë s'janë treguar të arsyeshëm”.

“Nëqoftëse njëra palë, edhe në kohën kur ka qenë Berisha në pushtet, njëra palë propozonte diçka, të tjerët ishin kategorikisht kundër. Asnjëherë, në shumë pak raste. Unë mbaj mend vetëm kur i detyruan të gjithë bashkë u mblodhën 140 deputetë brenda natës për Reformën në Drejtësi. Por, i detyruan ndërkombëtarët. Pra, kjo e sotshmja ishte vërtetë e turpshme se bëhej fjalë për një kauzë që është e kombit shqiptar. Nuk është thjesht një problem politik kush do ta komandojë këtë pjesë, kush atë pjesë. Sot ishte e rëndë, por nuk u çudita, është një histori e vjetër në gjithë politikën shqiptare të këtyre 30 vjetëve”, tha Klosi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos